Kosova

GAP: Kosova vazhdon të jetë shteti me raportin më të pabarabartë import-eksport


Foto nga Instituti GAP

Instituti GAP, ka vlerësuar se Kosova vazhdon të jetë shteti me raportin më të pabarabartë të importit dhe eksportit.

Përmes disa grafikave të publikuara në rrjetin social ‘Facebook’, GAP ka thënë se për çdo euro të eksportuar importohen rreth 6.5 euro.

“Në Ballkanin Perëndimor, Kosova vazhdon të jetë shteti me raportin më të pabarabartë import-eksport. Për çdo euro të eksportuar, ne importojmë rreth 6.5 euro. Megjithëse krahasuar me vitet e mëparshme vërehet një përmirësim në këtë aspekt”, është thënë nga GAP.

Sipas GAP, për këtë arsye s’po zhvillohet as sektori industrial.

“Ndër tjera, niveli i lartë i importeve dhe ai i ulët i eksporteve reflekton mos zhvillimin e sektorit industrial në Kosovë”.

Më 22 shtator të 2023-së, Agjencia e Statistikave të Kosovës kishte publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin gusht 2023.

Sipas të dhënave të ASK-së, eksporti i mallrave në muajin gusht 2023 kishte vlerën 67,3 milionë euro, ndërsa importi 523,1 milionë euro dhe se kjo paraqet një rënie prej 20,7% për eksport, si dhe 0.7% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Ndërsa në korrik të 2022-së, ishin publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin qershor 2022, ku ishte bërë e ditur se deficiti tregtar është rritur për 30.5 për qind krahasuar me vitin e kaluar, pasi është rritur edhe importi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore