Lajme

Një bandë mori pagesën më të madhe ndonjëherë për zhvatje kibernetike


Një grup hacker-ësh janë paguar për një total prej 75 milionë dollarësh, pasi sulmuan të dhënat e kompanisë farmaceutike “Cencora”.

Lajmi u bë i ditur nga kompania mediatike “Bloomberg”, duke shtuar se kjo ishte pagesa më e madhe ndonjëherë për një zhvatje kibernetike.

Pagesa e bërë për hacker-imin e Cencora-s u bë në tre këste përmes Bitcoin-it në mars, sipas njerëzve të njohur me çështjen, të cilët nuk pranuan të emërtohen për të diskutuar detaje të ndjeshme.

Kërkesa fillestare për shpërblim ishte 150 milionë dollarë, në një kohë kur Cencora mësoi se të dhënat ishin vjedhur nga sistemet e saj në shkurt, sipas një dosjeje rregullatore.

Cencora, një kompani Conshohocken, me bazë në Pensilvani, ka një kapitalizim tregu prej rreth 46 miliardë dollarësh dhe gjeneroi 262 miliardë dollarë të ardhura në vitin e fundit fiskal. Më parë njihej si AmerisourceBergen.

Raportet për një shpërblim prej 75 milionë dollarësh u shfaqën për herë të parë në korrik, kur firma e sigurisë kibernetike Zscaler Inc. dhe kompania e analitikës së blockchain Chainalysis Inc. thanë se banda e hakerëve “Dark Angels” mori pagesën masive, pa identifikuar viktimën.

Raportimi i Bloomberg shënon konfirmimin e parë që shpërndarësi i barnave ishte viktimë e hacker-imit.

Dy muaj pas zbulimit të incidentit, Cencora filloi të njoftonte individët dhe autoritetet shtetërore se ishin marrë të dhëna personale, përfshirë emrat, adresat, datat e lindjes, diagnozat, recetat dhe medikamentet.

Raporti tremujor i korrikut i kompanisë thotë se shumica prej 31.4 milionë dollarësh në shpenzime “të tjera”, për nëntë muajt që përfundojnë më 30 qershor, u shkaktuan si rezultat i një ngjarjeje të sigurisë kibernetike në të cilën u filtruan të dhënat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore