Kosova

Kearns: Vuçiç po thirret në librin e lojërave të Putin-it, që përcakton planet për aneksimin e Veriut të Kosovës


Alica Kearns

Shefja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka kërkuar nga qeveria britanike që urgjentisht të fokusohet në Ballkan.

Këtë, Kearns e ka bërë përmes një postimi në platformën X, një ditë pas që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shpalli të ashtuquajturat masa për gjoja mbrojtjen e serbëve të Kosovës.

“Pas deklaratave të mbrëmshme të Presidentit Vuçiç, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të fokusohet urgjentisht në Ballkan”, shkroi Kearns.

“Pothuajse një vit nga sulmi i Banjskës ende nuk ka drejtësi, dhe përkundër bashkëpunimit të shtetit serb ende nuk ka sanksione nga BE-ja (vetëm marrëveshje për litium dhe avionë)”, shtoi.

Vuçiç, thotë deputetja britanike, “po thirret në librin e lojërave të [Presidentit të Rusisë, Vladimir] Putin-it që përcakton planet për aneksimin e Veriut të Kosovës”.

“Kosova është shtet sovran. Ballkani duhet të largohet nga botëkuptimet sektare, populli i Kosovës Veriore dhe serbët e Kosovës meritojnë më mirë, të mos përdoren si pengje në ambiciet irredentiste”, potencoi ajo.

Ndryshe, të premten, Vuçiç ka njoftuar për pesë lëvizje të reja që ai dhe shteti i Serbisë do t’i ndërmarrin në raport me Kosovën, në një seancë të jashtëzakonshme të paralajmëruar 72 orë më parë, derisa tha se sa i përket politikës së shpalljes “pjesë e okupuar Kosovën”, nuk kanë marrë vendim akoma, meqë “ekspertët juridikë ishin kundër”.

Në fjalimin e tij të shoqëruar edhe me disa pamje të shfaqura në monitor me pikat kryesore, ai tha se lëvizjet e reja janë: “Status Quo-ja”, “Kosova zonë e mbrojtjes së veçantë”, pastaj “rezistencë e institucioneve serbe ndaj Kosovës”, “krijimi i një prokurorie speciale” dhe “vendim për paligjshmërinë e të gjitha organeve dhe institucioneve arsimore në territorin e Kosovës pas shpalljes së paligjshme të pavarësisë dhe mosekzistencës së të gjitha akteve të tyre që janë miratuar ose do të miratohen”.

Vuçiç deklaroi gjithashtu se sulmi nuk është opsion, meqë ishte vetë Serbia që humbi më shumë se kushdo tjetër në luftërat në ish-Jugosllavi.

“Në atë kohë ne nuk kemi kuptuar mirë gjithçka dhe për këtë kemi paguar çmimin”, pohoi ai.

“Po sulmohemi krejtësisht ilegalisht që dikush të realizojë interesat e tij, edhe pse nuk duhet të anashkalojmë faktin se një numër i konsiderueshëm shqiptarësh kanë vdekur tragjikisht, gjë që nuk duhet ta harrojmë nëse duam të jemi objektivë dhe të denjë”, deklaroi Vuçiç.

Duke folur për situatën në Kosovë, ai pohoi se “në periudhën e ardhshme mund të presim vetëm lajme më të këqija, jo më të mira, sepse zgjedhjet (në Kosovë) po vijnë”, tha Vuçiq.

Por, shtoi se “nuk kemi të drejtë të zhgënjehemi nga gjithçka që kemi përjetuar nga Perëndimi”.

“Për okupimin s’kemi marrë vendim akoma” – Vuçiç prezanton 5 “lëvizjet e reja” në raport me Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore