Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar të shtunën se si komandat suprem dhe president i republikës së Serbisë ka nënshkruar pëlqimin për kryerjen e shërbimit të rregullt ushtarak për 75 ditë.
“Dua të besoj se Qeveria e Serbisë do ta miratojë atë vendim. Dua të besoj se të gjithë e kuptoni se sa shumë na duhet një ushtri e fortë, sa më shumë do të na duhet të blejmë armë, të bëjmë, të krijojmë”, tha Vuçiç në promovimin e nëntogerëve më të rinj të Ushtrisë Serbe, transmeton media opozitare serbe “Danas”.
Ai ka theksuar se nuk është dëshira e Serbisë “që të sulmojë dikë dhe as nuk do ta bëjë këtë”.
“Është dëshira jonë për të frenuar të gjithë ata që me dëshirë na kërcënojnë çdo ditë”, pohoi.
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi ishte hequr më 1 janar 2011, duke e lënë në dëshirën e secilit që do të shkojë vullnetarisht në ushtri.
Kur ishte bërë paralajmërimi për shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Serbi, shumë njohës të çështjeve të sigurisë e kishin ngritur shqetësimin e tyre për këtë çështje, duke qenë se shteti serb shpreh hapur pretendime territoriale ndaj vendeve fqinje.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com