Kosova

“Vuçiç kërkesat e Serbisë i ka shndërruar në kërkesa të SHBA-së e BE-së”, “Ja hodhi topin Kosovës, riktheu presionin e Asociacionit” – Analistët komentojnë fjalimin presidentit serb


Albin Kurti e Aleksander Vucic ne dialog

Si një lëvizje taktike për t’ia hedhur “topin e nxehtë Kosovës” dhe si një “fitore diplomatike e Serbisë” është komentuar nga disa komentatorë politikë fjalimi i fundit i presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili njoftoi për pesë politika të reja kundrejt Kosovës dhe për shtatë pika të veçanta.

Aty, Vuçiç veç tjerash kërkon rikthim të serbëve në institucione dhe themelim urgjent të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, çka përbën përafërsisht edhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën tash e sa kohë.

“Për okupimin s’kemi marrë vendim akoma” – Vuçiç prezanton 5 “lëvizjet e reja” në raport me Kosovën

Prandaj, ish-udhëheqësi i Lëvizjes FOL, analisti Petrit Zogaj, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se “kjo është një fitore diplomatike e jashtëzakonshme për Serbinë”.

“Problemi me i madh i shtatë pikave që Vuciç prezantoi sot është se te gjitha këto kërkesa i janë adresuar qeverisë së Kosovës nga SHBA dhe BE që një kohë të gjatë. Pra, Vuçiç, për më pak se katër vite, ka arritur që qëndrimin e shtetit serb në lidhje me Kosovën ta përshtatë me atë të vendeve perëndimore”, shkruan Zogaj.

Në anën tjetër, edhe analisti politik, Agon Maliqi, pohon se kjo qasje e Vuçiç-it do të shihet në perëndim si “konstruktive”.

“Prandaj mos shkepni panik për luftë për efekte elektorale, por kapni gjeni mënyrë për me komuniku normalisht dhe pa intimidim me serbët në veri që janë në shtëpi të veten. Sepse me këtë qasje e cila në perëndim do të shihet si ‘konstruktive’ Vuçiç prapë po ia gjuan Kosovës topin e nxehtë të fajësimit për çkado që ndodh me serbët dhe po e rikthen presionin e dialogut dhe Asociacionit drejt Kosovës”, shkroi Maliqi.

Në fjalimin e paralajmëruar tri ditë më parë, Vuçiç tha se lëvizjet e reja janë: “Status Quo-ja”, “Kosova zonë e mbrojtjes së veçantë”, pastaj “rezistencë e institucioneve serbe ndaj Kosovës”, “krijimi i një prokurorie speciale” dhe “vendim për paligjshmërinë e të gjitha organeve dhe institucioneve arsimore në territorin e Kosovës pas shpalljes së paligjshme të pavarësisë dhe mosekzistencës së të gjitha akteve të tyre që janë miratuar ose do të miratohen”.

Kthimi në “Status Quo”

Vuçiç deklaroi se “ne kërkojmë një kthim në Status Quo Ante duke hequr pasojat kryesore të veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara të regjimit të Kurtit, që është një parakusht i domosdoshëm për përparim domethënës në procesin e dialogut”.

Ai shtoi se “për këtë do të nis një fushatë diplomatike globale në të cilën do të përcillet pritshmëria se në të ardhmen e afërt do të përmbushen shtatë supozimet e nevojshme për përparim në dialog”.

Këto 7 pika, siç deklaroi Vuçiç, janë:

1) Thirrja dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e misionit të OSBE-së dhe kontrollin e BE-së;

2) Zbatimi i nenit 9 të Marrëveshjes së parë të Brukselit përmes kthimit kolektiv të serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Veri;

3) Kthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksione gjyqësore;

4) Tërheqja e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara ilegalisht në veri të Kosovës, si dhe tërheqjen e tyre nga të gjitha institucionet që ofrojnë shërbime jetike publike dhe administrative për qytetarët nga viti 1999 deri në mbylljen e tyre të paligjshme në vitin 2024;

5) Formimi urgjent, urgjent dhe përfundimtar i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa shaka dhe lojëra të mëtejshme politike, na është e qartë se për 12 vjet ishte vetëm një lojë për të blerë kohë, me qëllim që Asociacioni të mos formohet kurrë dhe kjo me këtë i anulon të gjitha të drejtat e serbëve. Kjo konkretisht nënkupton miratimin e draftit përfundimtar të statutit të Asociacionit në mënyrën e përcaktuar me Rregulloren e Punës së Ekipit Menaxhues, nga përfaqësuesit e komunitetit serb në veri të Kosovës të zgjedhur në mënyrë demokratike;

6) Zbatimi i menjëhershëm i garancive të Bashkimit Evropian dhe SHBA nga 28 dhjetor 2022 dhe lirimi i menjëhershëm i të gjithë të burgosurve politikë që u arrestuan nga Policia e Kosovës për aktivizmin e tyre demokratik, qytetar apo politik – dhe veçanërisht të arrestuarve për pjesëmarrje në protesta/barrikada paqësore;

7) Mundësimi i menjëhershëm i transaksioneve të pandërprera të pagesave dhe shërbimeve postare.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore