Këmbimi valutor: 1 euro këmbehet me 99.58 lekë!
Nuk është më as utopike dhe as e jashtëzakonshme, por një realitet i ri dhe një minimum historik i radhës që monedha evropiane ka arritur ndaj lekut, duke u këmbyer me 99.58 lekë. Minimumi i shkuar kishte qenë ai i këmbimit me 99.6 lekësh më 20 gusht, por më 12 shtator u ul edhe më tej.
Prej pikut të sezonit veror në fakt, euro nuk ka parë ngritje sipër 100 lekëve dhe barriera e thyer si një kufi imagjinar i paracaktuar më parë, është kthyer në një kufi normal.
Për më tepër, “shqetësim”, nëse i tillë mund të quhet, është fakti se prurjet në euro nga piku i sezonit veror nuk janë ndalur edhe gjatë shtatorit dhe kanë qenë të qëndrueshme, duke e ruajtur nivelin e euros në këtë minimum historik poshtë barrierës prej muajsh.
Arsye për këtë mund të jetë edhe shpërndarja e turizmit gjatë vitit në kohë, duke krijuar baraspeshë mes muajve. Po ashtu, mendohet se edhe investimet e huaja në vend kanë një rol në uljen e valutës evropiane.
Nga ana tjetër, ministri i Financave, Petrit Malaj, ka thënë se kursi i këmbimit ka pasur ndikim me 5.4 pikë përqindje në uljen e borxhit publik.
Gjatë debatit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ku u diskutua Akti Normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2024, Malaj tha se në vitin 2021 borxhi publik ishte në nivelin 74.5 % dhe në fund të 2023-shit, ai ra në 58.9 %.
“Efekti i kursit të këmbimit nga 2021 deri në 2023 është 5.4 pikë përqindje. Ka ndikuar me 5.4 pikë përqindje nga 15 % që është ulja e borxhit në këtë periudhë“, tha ai.
Malaj po ashtu theksoi se forcimi i lekut ka ndikuar pozitivisht në borxhin publik, por ka dhënë efekte negative sa i përket të ardhurave nga doganat.
Ministri foli dhe për investimet e huaja në vend kur tha se ato shënuan rritje me mbi 15 % në tremujorin e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023-shit.
“Investimet e huaja shënuan rritje me 15.3 % në tremujorin e parë të 2024. Dominohen nga investimet e huaja të cilat vijnë nga Turqia me rreth 19.5 %, ndjekur nga Italia dhe Austria. Këto investime lidhen me energjinë e rinovueshme dhe sektorin e turizmit”, deklaroi ai.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Ministria e Financave bën përmbledhjen 8-mujore, të ardhurat rritje me 10% nga 2023
-
Malaj prezanton rishikimin e buxhetit: Nevojë për të shtuar investimet në infrastrukturë, bujqësi, arsim e shëndetësi
-
Bankës kineze iu kërkua t’i dërgonte autoriteteve 11 milionë dollarë pasi themeluesi u zhduk
-
Prurjet nga remitancat arritën vlerën 268 milionë euro, sipas BSH-së