Kosova

Miratohet projektligji i ndryshuar për Byronë e konfiskimit të pasurisë


Foto nga arkivi

Qeveria e Kosovës, ka miratuar projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me ndryshme në katër nenet e saj.

Kryeministri Albin Kurti, në fjalimin e tij para ministrave u shpreh se pavarësisht tendencave për të zvarritur jetësimin e këtij ligji të rëndësishëm, byroja do të bëhet.

“Ndonëse Ligji për Byronë ishte votuar në Kuvend, një grup opozita e kontestoi në Gjykatën Kushtetuese, e gjykatës iu deshën plotë 17 muaj për ta rrëzuar këtë projektligj në katër nene të saj. Ministria e Drejtësisë në përkushtim ka adresuar në përkushtim ndryshimet e këtij Ligji në këto katër nene dhe ka adresuar Projektligjin për Byronë Shtetërore  për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”.

Kurti ka shtuar se “byroja do të shërbejë dhe si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare”.

Nëse Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë mbetet i hartuar sipas versionit të prezantuar nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili theksoi se “nuk do të jetë e nevojshme të sigurohen prova për të identifikuar se kush ka kryer vjedhje, pasi politikanët e korruptuar do të dallohen përmes stilit të jetesës dhe pasurisë”, ekziston frika se ky ligj sërish do të përballet me shkelje kushtetuese dhe do të konsiderohet i papranueshëm.

Njohësit e çështjeve të drejtësisë, kanë deklaruar se me ato që deri tani janë thënë për këtë ligj dhe formën se si po hartohet është duke pasur insistim nga Qeveria që të shkelet Kushtetuta.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur antikushtetues Ligjin për Byronë Shtetërore për Verfikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pasi kishte gjetur plotë 10 pika në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Prandaj, Gjykata ka vendosur “të shpallë të pavlefshëm, me pesë (5) vota për dhe katër (4) vota kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”.

Në vendim ishin dhënë edhe të gjitha nenet dhe paragrafët ku janë diktuar shkeljet kushtetuese të ligjit që qeveria e proklamonte si ligji që do të mundësonte reformën në drejtësi.

Sqarimi i zv.ministrit të Drejtësisë për Ligjin e Byrosë tregon sërish për “shkelje thelbësore” dhe “qasje të gabuar”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore