Kosova

KFOR-i kërkon që vendimi për hapjen e urës së Ibrit të merret në dialog


Ilustrim

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka ripërsëritur qëndrimin për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve duke theksuar se një vendim i tillë paraprakisht duhet të diskutohet në procesin e dialogut e udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Një ripërtëritje e një qëndrimi të tillë erdhi pak orë pas kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se janë kryer të gjitha procedurat për hapjen e Urës, ndërsa tani po presin QUINT-in (SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën e Italinë) dhe KFOR-in.

KFOR-i ndër të tjera është përkujdesur të theksojë qe hapja e urës duhet të ndodh në koordinim me ndërkombëtarët.

“Për çështjen e hapjes së mundshme të urës së lumit Ibër në Mitrovicë për automjete, qëndrimi ynë ka qenë transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim në kohë dhe efektiv me komunitetin ndërkombëtar“, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të KFOR-it.

Kurti të martën tha se Qeveria është e gatshme për hapjen e Urës mbi lumin Ibër, duke shtuar se po presin KFOR-in dhe QUINT-in.

Këto komente, Kurti i ka bërë në një prononcim për gazetarë nga Veriu, pasi që ka vizituar atë pjesë të Kosovës të martën, ku ka vënë gurthemelin e një stacioni policor në Leshak të Leposaviqit dhe ka qëndruar në Mitrovicë të Veriut.

“Po vazhdojnë konsultimet dhe koordinimet, por Qeveria me të gjitha dikasteret e saj është e gatshme që ta bëjë hapjen, po i presim QUINT-in e KFOR-in. Ne i kemi kryer punët tona, kemi bërë përgatitjet sa i përket pastrimit, mjedisit rrotull aty, edhe vlerësimit të qëndrueshmërisë në aspektin fizik dhe teknik”, ka thënë Kurti.

Kurti: Jemi gati për hapjen e Urës së Ibrit, por po e presim QUINT-in e KFOR-in

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore