Momente

“Jau thej kambët, jua prishi karrierën”, Agim Ademi akuzohet se ka kërcënuar Zhegrovën, Muricin e Muslijën


Agim Ademi

Agim Ademi, President i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), është akuzuar se ka kërcënuar tre lojtarët e Përfaqësues së Kosovës që u përjashtuan nga grumbullimi, për siç u tha “shkelje të rregullave”, përkatësisht Aro Muricin, Edon Zhegrovën dhe Florent Muslijën.

Fillimisht ka qenë analisti sportiv, Ramiz Shala, që e ka bërë këtë denoncim, të hënën në mbrëmje, i cili theksoi se Ademi u ka thënë lojtarëve në fjalë se “jau prishi karrierën”, e “jua thej këmbët”.

“Para vendimit, Agimi i ka thirr të tre djemtë dhe po citoj me fjalë: ‘Kam me iu shkatërru karrierën, ja u prishi fytyrën, këmbët bre jau thej…Nuk ka marrë vendim Foda, përveç Agim Ademit. Nuk duhet ta mashtrojmë opinionin, sepse ata djem janë lojtarë të Kosovës”, tha Shala në “Duelin Sportiv”.

Të njëjtën denoncim e ka bërë edhe gazetari i sportit, Arlind Sadiku. Madje, ai ka bërë të ditur se një gjë e tillë i është konfirmuar nga njëri nga tre lojtarët e përjashtuar nga grumbullimi.

“Njëri nga futbollistët e përjashtuar, në kushte anonimiteti, pranoi se Agim Ademi i ka kërcënuar duke iu thënë ‘jau thej komtë, jau prishi karrierën’!”, shkroi Sadiku në Facebook.

Zhegrova, Muric dhe Muslija u përjashtuan me vendim të FFK-së, pas ndeshjes me Rumaninë – e cila u humb me rezultat 0:3 – pasi që u akuzuan se kanë thyer rregullat, duke pretenduar se kanë shkuar me një klub nate.

Mirëpo, një gjë e tillë u mohua kategorikisht nga lojtarët.

Përjashtimi i tre lojtarëve kryesorë nga grumbullimi erdhi në një kohë kur u shtuan zërat – më shumë se kurrë më parë – për dorëheqjen e Agim Ademit.

Ademi është përballur me procese gjyqësore, të cilat janë mbyllur me procese të dyshimta.

Ndërsa, gjatë udhëheqjes së FFK-së, ai vazhdimisht është akuzuar se e ka drejtuar me dorë të hekurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore