Kosova

Ushtarët amerikanë të KFOR-it patrullojnë në Leposaviq


Foto: KFOR

Forca e NATO-s (KFOR), nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, ka njoftuar se ushtarët amerikanë të KFOR-it kanë patrulluar në Leposaviq – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, në sfondin e rrjedhës së tensionuar në marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Ushtarët amerikanë në Komandën Rajonale në Lindje në kuadër të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, kanë kryer patrullime brenda komunës së Leposaviqit. Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, ka deklaruar misioni paqeruajtës.

NATO ka dislokuar rreth 1 mijë ushtarë shtesë në Kosovë – prezenca më e madhe e aleancës në 10 vitet e fundit – kryesisht për shkak të paralajmërimeve për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve midis Kosovës e Serbisë dhe cenimit të paqes e sigurisë në rajon, përkatësisht pas sulmit të armatosur serb më 24 shtator 2023 në pjesën veriore të Kosovës.

Ndryshe, përkundër se situata në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë është më e qetë pas ngjarjeve të vitit të kaluar, ende perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Gjithashtu, misioni i KFOR-it ka trefishuar numrin e patrullave përgjatë kufirit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore