Fëmijët që janë të ndjeshëm ndaj diabetit të tipit 1 dhe hanë banane, tërshërë dhe kos kanë më shumë gjasa të preken nga kjo sëmundje, ndërsa konsumimi i luleshtrydheve dhe boronicave ul rrezikun, ka gjetur hulumtimi.
Nga studimi doli edhe gruri si një faktor rreziku për formën autoimune të diabetit, ndërsa perimet si brokoli, lulelakra dhe lakra kanë një efekt mbrojtës.
Profesori që qëndron pas gjetjeve tha se fakti që disa fruta përmbajnë gjurmë pesticidesh mund të shpjegojë pse disa prej tyre rritin, por të tjerët e zvogëlojnë rrezikun e diabetit të tipit 1.
Suvi Virtanen dhe kolegët në Institutin Finlandez për Shëndetin dhe Mirëqenien analizuan dietën e 5 mijë e 674 fëmijëve finlandezë që ishin gjenetikisht të ndjeshëm ndaj sëmundjes, duke i ndjekur ata që nga lindja deri në moshën gjashtë vjeç.
Nëntëdhjetë e katër nga fëmijët kishin zhvilluar diabetin e tipit 1 deri në atë moshë dhe 206 të tjerë kishin zhvilluar autoimunitet të ishujve, që do të thoshte se ata ishin në rrezik shumë më të lartë për ta marrë atë.
Hulumtuesit analizuan 34 grupe të ndryshme ushqimore dhe zbuluan se sa më shumë fruta të tilla si bananet, tërshëra ose thekra hanë fëmijët, aq më i madh është rreziku për t’u prekur nga kjo sëmundje.
Ky zbulim mund t’i hutojë prindërit sepse, sipas Virtanen, “shumë nga ushqimet që ne zbuluam se lidhen me rritjen e rrezikut të diabetit të tipit 1 dhe procesit të sëmundjes konsiderohen pjesë e një diete të shëndetshme”.
Megjithatë, në të kundërt, duke ngrënë luleshtrydhe, boronica, mjedra, rrush pa fara të zeza dhe manaferra të tjera, dukej se mbronin fëmijët nga kjo gjendje.
Sa më shumë që hanë, aq më i ulët është rreziku.
Manaferrat janë veçanërisht të pasura me polifenole, komponime bimore që mund të zbusin inflamacionin që lidhet me zhvillimin e diabetit të tipit 1.
“Nga ana tjetër, frutat mund të përmbajnë substanca të dëmshme që nuk gjenden në manaferrat. Për shembull, manaferrat mund të jenë pa pesticide që gjenden në fruta të tjera”, tha Virtanen.
Ajo po prezanton gjetjet e saj në takimin vjetor të Shoqatës Evropiane për Studimin e Diabetit në Madrid.
“Është e rëndësishme të zbulohet se cilët faktorë në këto ushqime janë përgjegjës për këto asociacione. Nëse zbulohet se manaferrat përmbajnë një faktor të veçantë mbrojtës, për shembull, ajo substancë ose vetë manaferrat mund të përdoren për të parandaluar T1D”.
Por do të ishte e parakohshme të jepej ndonjë rekomandim dietik për atë se çfarë duhet të hanë foshnjat, bazuar në gjetjet, beson ajo.
Gjetjet nuk përputhen me shpjegimin e Diabetes UK për shkaqet e T1D.
Këto mbeten të panjohura, theksohet. Por shtohet se “nuk mendohet se shkaktohet nga ajo që hani apo pini”.
“Diabeti i tipit 1 mendohet se zhvillohet për shkak të një kombinimi të gjenetikës dhe faktorëve të tjerë që ende nuk janë kuptuar plotësisht. Por ne nuk dimë më shumë se kaq. Nuk ka asgjë për të treguar se stili i jetesës luan një rol”.
Gjetjet nga Holanda shtojnë dëshminë se njerëzit që qëndrojnë zgjuar deri vonë shpesh kanë shëndet më të keq dhe rrezik më të madh për të zhvilluar sëmundje, si kanceri, obeziteti dhe sëmundjet e zemrës, sesa ata që nuk e bëjnë këtë.
Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com