Kosova

Selmanaj: Katër vjet të dështuara për Kosovën, VV-ja s’arriti të menaxhojë as një lagje


Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka reaguar për mungesën e investimeve në komuna, duke thënë se të paktën të investojnë në ato që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Selmanaj përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka kërkuar që vetëm të investojnë dikund.

“DIKUR, kryeministrat dhe ministrat i kritikonim që investonin më shumë në komunat që udhëhiqeshin nga partia e njëjtë. SOT, për shkak se kjo qeveri ka dështuar kaq keq në të gjitha fushat dhe nuk ka bërë asnjë investim askund në Kosovë, i bëjmë thirrje qeverisë që të investojë kudo”, ka shkruar ai.

Duke shtuar se “le të investojë vetëm në ato tre komunat që udhëhiqen nga Vetëvendosja. Vetëm realizoni diçka”.

Sipas Selmanaj, koha ka dëshmuar që Lëvizja Vetëvendosje s’pati aftësi ta menaxhojë as një lagje se lëre më të gjithë shtetin.

“4 vite të qeverisjes së LVV-së, 4 vite të humbura për Kosovën, 4 vite mbytje shprese!”.

Asnjë nga rrugët kryesore të Kosovës që e lidhin kryeqytetin me qytetet tjera të mëdha të Kosovës – Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Gjakovë, nuk janë përfunduar dhe nuk janë as afër të përfundojnë në këtë mandat qeverisës, përkundër se të gjitha veçse ishin të nisura si projekte nga qeveritë paraprake.

Një nga pikat kyçe në programin e qeverisë (Albin) Kurti 2, ishte përfundimi i rrugëve magjistrale të papërfunduara më herët.

Madje, për rrugët Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë-Podujevë kishte premtime që do të përfundonin brenda një viti.

Edhe kontrata e re, e nënshkruar me 29 korrik, mes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Fondit Saudit për Zhvillim, në vlerë prej 15 milionë euro, po synon ndërtimin e vetëm një segmenti të rrugës Prishtinë – Mitrovicë.

Mungesa e investimeve të duhura në infrastrukturë për më shumë se tri vjet, ka ngritur shqetësime për mënyrën se si janë menaxhuar fondet publike për projekte të tilla që vlerësohen jetike.

Asnjë projekt i madh rrugor s’ka përfunduar në qeverisjen Kurti – “dyshime të mëdha për korrupsion”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore