Shqipëria

Kërcënoi kreun e FSHF-së, lihet në burg presidenti i klubit të Ilirisë


Nazmi Selmani

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg presidentin e klubit Ilira Fushë Krujë, Nazmi Selmani pasi disa ditë më parë ky i fundit kishte kërcënuar kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka.

Selmani, së bashku me tre djemtë e tij Petrit, Brajan dhe Santiago, si dhe me një person të pestë, Redian Loci kishin kërcënuar Dukën “për shkak të detyrës”.

Çështja në fjalë kishte të bënte me mosthirrjen në Kombëtaren kuqezi për ndeshjet e Nations League të djalit tjetër të Nazmi Selmanit, Gentianit. Portieri i Tiranës ka qenë më herët pjesë e ekipit kuqezi, por trajneri Sylvinho nuk e ka thirrur asnjëherë.

Gjykata e Durrësit tani ka lënë në burg Nazmiun dhe Petritin, teksa Brajan, Santiago dhe Loci janë lënë nën masën “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore”.

Vendimi i plotë:

1.Vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë të personave nën hetim N. Selmani, S. Selmani, B. Selmani, P. Selmani dhe R. Loci, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 238/1 e 25 të Kodit Penal.

2.Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personave nën hetim N. Selmani dhe P. Selmani.

3.Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, ndaj personave nën hetim S. Selmani, B. Selmani dhe R. Loci.

4.Urdhërohen personat nën hetim S. Selmani, B. Selmani dhe R. Loci të paraqiten në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, të Hënën e parë dhe të fundit të çdo muaji, ora 10:00.

5.Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personave nën hetim S. Selmani, B. Selmani dhe R. Loci, nga salla e gjykimit, nëse nuk mbahen për ndonjë shkak tjetër ligjor.

6.Urdhërohet Prokuroria dhe Policia Gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

U shpall sot në Durrës, më datë 04 Shtator 2024.

Armand Duka kërcënohet për shkak të detyrës, arrestohen 5 persona

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore