Selajdin Beqa, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në Autoritetin e Konkurrencës, i cili ka aktakuzë nga Prokuroria për shkak se kishte rrahur kolegun e punës, Shemsi Elezin – për të cilën kishte raportuar Albanian Post – ka vazhduar të bëmat e tij prej “cowboy”-it, duke sulmuar fizikisht përsëri Elezin.
Ky rast ka ndodhur të hënën (2 shtator), dhe për këtë është lajmëruar edhe Policia e Kosovës, të cilët janë njoftuar nga punonjësit e Autoritetit të Konkurrencës, pas mësymjes që Beqa ka bërë në drejtim të Elezit dhe jo vetëm.
“Dje është raportuar për një mosmarrëveshje, po trajtohet në koordinim me Prokurorinë”, ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për Albanian Post, pasi që është pyetur për këtë çështje.
Albanian Post merr vesh nga burimet se sulmi i Beqës ndaj Elezit është arritur që të ndalet vetëm pasi që kanë ndërhyrë kolegët e tjerë, të cilët kanë lajmëruar edhe policinë.
Pas kësaj, Beqa edhe Elezi kanë shkuar në stacionin policor ku edhe kanë dhënë deklaratë për këtë rast, ndërsa ditëve në vijim pritet që të paraqiten edhe punonjësit e tjerë që kanë qenë prezent gjatë sulmit.
Për të bëmat e frikshme të Selajadin Beqës, njëri i vendosur nga Lëvizja Vetëvendosje – partia që ka pushtetin – në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në Autoritetin e Konkurrencës, në këtë institucion, Albanian Post kishte raportuar fillimisht më 20 korrik.
Në artikullin e AP-së shpjegohej në detaje se si Beqa kishte sulmuar brutalisht kolegun e tij Elezi.
Elezi ishte sulmuar nga Beqa me breshëri grushtesh prapa kokës, në qafë e në fytyrë.
Elezi nga goditjet ishte plandosur për toke, derisa Beqa veç grushteve i kishte futur në kombinim edhe shqelmat.
Nuk ndalej.
Dhunën terrorizuese ndaj Elezit, siç përshkruhet më pas edhe në aktakuzën e ngritur ndaj Beqës, do ta ndërpriste ndërhyrja e kolegëve të tjerë në zyrë, të cilët nuk po e kuptonin akoma se çfarë po ndodhte.
Së paku tre prej tyre, Etrit Tetova, Florent Mehmeti dhe Enis Shatri, kishin deklaruar edhe në polici për çfarë u panë sytë atë ditë (29 nëntor 2023) dhe se si e kishin tërhequr më pas Beqën për ta shpëtuar kolegun e tyre Elezi, që në atë kohë mbante pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut.
Fotografitë e siguruara nga Albanian Post tregojnë lëndimet e Elezit nga goditjet e Beqës, që më pas u konfirmuan edhe nga raportet mjekësore me numër “86282” të përfshira në aktakuzë dhe ekspertiza e mëvonshme Mjeko-Ligjore nga doktor Musa Gashi.
Një nga goditjet, shpjegon edhe raporti, është bërë me një mjet të fortë, por që akoma nuk dihet se me çfarë saktësisht, derisa pjesa tjetër e lëndimeve është shkaktuar nga duart në formë boksi.
Pasi që kishte dëgjuar të gjitha deklaratat, Prokurori i Shtetit, Besnik Jakupi, kishte ngritur aktakuzë për Selajdin Beqën, me datën 18 mars 2024.
Sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, Neni 69 “Pezullimi sipas Detyrës Zyrtare”, pika 1.5., “nëpunësi civil pezullohet sipas detyrës zyrtare” nëse “ndaj nëpunësit civil është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksionit të saj/tij”.
Sipas ligjit, Beqa do të duhej të pezullohej nga puna në momentin që i ishte ngritur aktakuza, por kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku, në kundërshtim me ligjin, jo vetëm që nuk e kishte pezulluar, por Beqa, pas rrahjes së kolegut, ngritet në detyrë nga u.d i Drejtorit të Përgjithshëm në Drejtor të Përgjithshëm.
Pas kësaj, më 25 korrik, vetëm 5 dtë më pas, AP kishte raportuar se si për katër muaj rresht zyrtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës ishin vëzhguar ilegalisht nga kamerat që i kishte vendosur dhe i kontrollonte vetë Beqa.
Vendosja e kamerave fillimisht ishte kërkuar nga vetë punëtorët e agjencisë qeveritare pasi kishin parë kolegun e tyre Shemsi Elezi tek përgjakej nga grushtet e shqelmat që nuk ndaleshin nga Beqa, i cili e rrahu Elezin pasi ky i fundit e ballafaqoi me shkeljet e shumta ligjore.
Askush s’kishte ditur se çfarë ndodhi me kërkesën e tyre, derisa nuk i kishin parë të vendosura kamerat nëpër institucion.
Por, prapë, askush nuk e dinte se kush po i kontrollonte ato kamera të vendosura.
Punëtorët e Autoritetit, të lënë pa informacion, me 28 mars të vitit 2024 i drejtohen Agjencisë për Informim dhe Privatësi me ankesën se nuk kanë informacion se kush i ka vendosur dhe kush i kontrollon.
Me 31 maj Agjencia për Informim dhe Privatësi, pas analizimit të rastit, vizitës brenda objektit të Autoritetit dhe hetimeve të tjera konfirmon se ka pasur shkelje.
Ndërsa, një ditë më pas (më 26 korrik), AP kishte raportuar se si për sulmin fizik që e kishte përjetuar Elezi, nga kolegu i tij Beqa, iu ishte drejtuar me një shkresë Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti dhe Industri, meqë kryetarja e Autoritetit, Neime Binaku, nuk po e largon Beqën nga puna përkundër se i është ngritur aktakuzë.
Kur Elezi iu shkroi deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i njoftoi ata se nëse ankesa e tij do të ishte trajtuar në kohë, kjo letër s’do të kishte nevojë të dërgohej fare.
Por, pavarësisht shpjegimit në detaje rreth rastit të tij, ku kishte shprehur shqetësimin për situatën e krijuar, nuk pati veprime konkrete as nga ky komision.
Ai në letër iu rrëfen se si e shteri çdo mundësi në kërkim të zgjidhjes, por pa rezultat.
“Unë i kam provuar të gjitha mundësitë që shqetësimet e mija të trajtohen brenda institucionit dhe tani jam detyruar të ju njoftoj edhe juve si komision që e mbikëqyrni Autoritetin e Konkurrencës lidhur me padrejtësitë që po më bëhen në vazhdimësi nga Kryetarja dhe Drejtori i Përgjithshëm, sepse këta të dy janë të vetmit zyrtarë që po e udhëheqin Autoritetin e Konkurrencës”, thuhet në shkresën e tij.
Kjo situatë e krijuar e kishte rënduar dhe dëmtuar jashtëzakonisht atë në shumë forma.
Elezi përmendte edhe zyrtarë të tjerë të angazhuar në këtë institucion të cilët ndajnë të njëjtën brengë.
Siç shkruante ai, rasti i tij ka ngjallur te ata pasiguri, frikësim e demotivim.
Pra, gjendja brenda në këtë institucion potencohet se është e rëndë dhe është kthyer në diçka jashtë normales.
“Autoriteti i Konkurrencës si pasojë e mos veprimit të Kryetares ka sjellë një gjendje jonormale në Autoritet dhe pasiguri tek zyrtarët ne Autoritet, sepse kjo praktikë e ushtrimit të dhunës dhe presionit psikik ndaj zyrtarëve po përsëritet dhe sjellë frikësim e pasiguri çdo ditë në Autoritet”, thotë Elezi.
Albanian Post kishte tentuar të marrë përgjigje nga deputetët që e përbëjnë këtë komision, nëse janë angazhuar lidhur me rastin e Elezit.
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, e kishte pohuar për Albanian Post se e kanë pranuar letrën, derisa kishte treguar se deputetët e Vetëvendosjes e kishin bllokuar komisionin parlamentar për këtë çështje, për llogari të Selajdin Beqës.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë