Kosova

SBASHK-u kërkon nga Qeveria rritje të pagave të koeficientit për 30%


Foto: Albanian Post

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), po kërkon nga Qeveria e Kosovës, rritje të vlerës së koeficientit të pagave prej së paku 30 për qind, që do të fillonte së zbatuari me pagën e muajit shtator 2024.

Përmes një diskutimi mes SBASHK-ut dhe kryetarëve të Sindikatave Komunale të Arsimit Parauniversitar (SKAP), është arritur marrëveshje për formimin e një komisioni që do të hartojë Draft-Kontratën Kolektive të Arsimit të Kosovës, e cila do të përfundohet brenda një jave.

E njëjta më pas do të dërgohet për diskutim publik tek anëtarësia për të hartuar draftin final që do të dorëzohet në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Më 13 gusht, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, i ishte përgjigjur paralajmërimeve të kryetarit të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, i cili kishte thënë se nëse s’do të ketë rritje të pagave për punonjësit e arsimit po e konsiderojnë si mundësi hyrjen në grevë.

Por, sipas Nagavcit, nuk ka asnjë arsye për grevë duke thënë se i kanë të vazhdueshme komunikimet me mësimdhënës.

“Deklarata të përvitshme, e ta vazhdueshme. Konsideroj që nuk ka as kohë e as nevojë e as arsye për grevë. Zv/ministri është takuar me kryetarin e SBAShK-ut. Kemi komunikim të vazhdueshëm, edhe me shkolla e mësimdhënës”, tha ajo në konferencë për media të martën.

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, në vitin 2022, nuk kishte gjetur zgjidhje për fillimin e procesit mësimor, kjo pasi sindikatat kishin hyrë në grevë për të kërkuar rritje të pagave.

Në vitin 2022, greva që nisi rezultoi të jetë greva më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Përveç tyre, në grevë kishin qenë edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.

Partitë opozitare dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kishin shprehur shqetësimin për grevën e mësimdhënies në sektorin publik.

Mbi 4 javë greva, kjo s’ka ndodhur qe 20 vjet në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore