Prokurori do të përmbledh dëshminë e dëshmitarit të 81-të në Speciale – seancat mbahen të mbyllura
Dëshmitari i 81-të i cili është ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka nisur dëshminë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Gjykatën Speciale.
Dëshmia e tij do të jetë krejtësisht e mbyllur siç ka bërë të ditur zëdhënësi i DhSK-së, Christopher Bennett për Albanian Post.
“Dëshmitari ka masa mbrojtëse dhe shumica e dëshmive do të jenë të mbyllura. Prokurori duhet të japë një përmbledhje”, ka thënë Bennett për AP.
Seancën në Speciale të martën e ka përfunduar ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Skender Zhitia.
Gjatë dëshmisë, Zhitia ka folur për librin e tij “Zona Operative e Llapit”, derisa ka theksuar se avokatë dhe prokurorë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë shkoqitur fjalë dhe fjali nga libri i tij, të cilat në opinion më pas kanë përcjellur mesazh të gabuar.
Tutje, Zhitia ka potencuar se është i saktë informacioni që e ka pasqyruar në libër, ku kishte treguar se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, në Zonën Operative të Llapit kishte filluar ofensiva serbe dhe se Serbia kishte filluar me planin ‘Patkoi’ për dëbimin e shqiptarëve.
Nga mbi 300 dëshmitarë në total, deri tani janë dëgjuar 80 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-zyrtarë të misioneve, ish-komandantë e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa sot do të ofrojë dëshminë dëshmitari i 81-të.
Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999. Në procesin gjyqësor që ka nisur më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com