Kosova

Ekspertizat kanë konstatuar ndryshe, por Kurteshi thotë se ka “me qindra fakte” që Astrit Dehari është vrarë


Ndonëse dy ekspertiza ndërkombëtare nuk kanë arritur të konstatojnë se aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharin, e ka vrarë dikush në burg, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, pasi është intervistuar në Departamentin e Hetimeve të Policisë së Kosovës rreth deklaratave që i ka dhënë në lidhje me rastin Dehari, ka thënë se ka “qindra dëshmi” se ky i fundit është vrarë në burg.

“Janë mbi 3 mijë faqe prova, analiza, rekomandime të ndryshme në lidhje me rastin Dehari. Shumicën prej tyre unë i kam siguruar dhe i kam lexuar. Ka me qindra dëshmi dhe fakte që vërtetojnë bindjen time që rasti i Deharit është vrasje e plotë, vrasje e drejtpërdrejt me urdhër nga lartë”, tha ai para gazetarëve.

Kurteshi pati akuza edhe për prokurorin e rastit Afrim Shefkiu, për të cilin tha se rastin e Deharit nuk e ka trajtuar fare për katër vjet dhe se nuk ka bërë asnjë veprim.

“Hetimet për një rast mund të zgjasin më së shumti tre vjet. Të gjithë prokurorët dhe gjykatësit që kanë qenë të involvuar në rast kanë dhënë dorëheqje dhe punojnë si avokat. Ata kanë kryer urdhrat e eproreve të tyre nga lartë’, ka pretenduar ai.

Më 20 gusht, Kurteshi – pa asnjë provë – pati akuzuar institucionet kosovare, përfshirë policinë dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), duke thënë se ata kanë qenë të përfshirë në “inskenim” të rastit.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte akuzuar edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin kosovar, Kadri Veseli, duke pretenduar se të njëjtët kanë dhënë urdhër “për vrasjen” e Deharit.

Ndryshe, aktivisti i LVV-së ka vdekur më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai dyshohej për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.

Në raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, më 1 prill 2022, është thënë se analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, nuk kanë treguar profil tjetër të ADN-së përveçse të vetë atij.

Asgjë e re, Vetëvendosje flet prapë për Astrit Deharin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore