Sulmet e kolonëve izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar “rrezikojnë të minojnë përpjekjet e vazhdueshme diplomatike”.
Paralajmërimi vjen nga ministri i Jashtëm francez, Stéphane Séjourné , dhe britaniku, David Lammy, në përfundim të një vizite të përbashkët në Izrael dhe territoret e pushtuara palestineze.
Dy krerët e diplomacisë në Paris dhe Londër dënuan “me forcë” dhunën e kolonëve, e cila sipas tyre “kërcënon sigurinë e izraelitëve dhe palestinezëve”.
Ata iu referuan operacionit të kryer nga dhjetëra kolonë që sulmuan një fshat palestinez afër qytetit Kalkiliya dy ditë më parë, duke qëlluar një palestinez 23-vjeçar dhe duke plagosur rëndë një tjetër, si dhe duke i vënë flakën automjeteve shkaktojnë dëme të tjera pasurore.
Séjourné dhe Lammy insistuan në gatishmërinë e tyre për të mbështetur “proceset e bashkëpunimit dhe rregullimit të situatës në rajon”, duke nënvizuar se për të ecur përpara “të gjithë aktorët e përfshirë duhet të bëjnë përpjekje konkrete nëse vërtet duan t’i japin fund konfliktit”.
Ata përsëritën gjithashtu se zgjidhja me dy shtete është e vetmja që mund të sjellë “një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Ministrat më pas thanë se nevojiteshin veprime për të liruar pengjet dhe se ishte urgjente të lejohej hyrja dhe shpërndarja e papenguar e ndihmave humanitare në Gaza dhe të sigurohet mbrojtja e civilëve.
“Rreziku që konflikti të përhapet në Lindjen e Mesme nuk ka qenë kurrë më i madh’, prandaj ata i bënë thirrje “Iranit dhe aleatëve të tij të ndalojnë kërcënimet e tyre për sulm ushtarak kundër Izraelit” dhe theksuan “të gjitha palët se përshkallëzimi i hakmarrjes” duhet të ndalet.
Gjatë vizitës së përbashkët, Séjourné dhe Lammy u pritën nga ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz , dhe ministri izraelit i çështjeve strategjike, Ron Dermer , si dhe nga kryeministri palestinez, Muhamad Mustafa, në zyrën e tij në Ramallah.
Kreu i diplomacisë franceze, i cili vizitoi Libanin të enjten, vijon turneun e tij në Lindjen e Mesme, sot në Kajro, ku do të takohet me presidentin egjiptian Abdelfatah al-Sisi.
Egjipti, Shtetet e Bashkuara dhe Katari po promovojnë negociatat për një armëpushim dhe për lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com