Kosova

Mossigurimi i librave, PDK: Keqmenaxhim dhe keqpërdorim i buxhetit të shtetit – Prokuroria të veprojë


Anëtarët e Komisionit Hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati dhe Bekim Haxhiu, në një konferencë për media, të enjten, kanë kundërshtuar vendimin për formën e sigurimit të librave për nxënësit përmes subvencionimit, duke akuzuar Ministrinë e Arsimit për shkelje të ligjit, keqmenaxhim dhe keqpërdorim të buxhetit të shtetit.

Deputeti Haxhiu ka thënë se ndjen keqardhje që ministrja Arbërie Nagavci është duke u shndërruar në një “recidiviste të dështimit edhe të keqpërdorimit të buxhetit të shtetit”.

“Është dështim kur Ministria e Arsimit nuk arrin t’i sigurojë librat për fëmijët më 1 shtator dhe në anën tjetër e shkel ligjin për arsimin para universitar i cili parasheh që blerja e librave për nxënësit të bëhet përmes procesit të prokurimit”, tha Haxhiu.

“Nëse e lexoni ligjin e arsimit para universitar e shihni që fjala subvencionim në atë ligj nuk ekziston, pra nuk kemi të bëjmë më subvencionim, por me blerje të librave për fëmijë dhe kjo është detyrim i Ministrisë së Arsimit, prandaj kjo është edhe shkelje ligjore dhe keqpërdorim i buxhetit”.

Deputeti i PDK-së ka potencuar se nëse të gjithë nxënësit subvencionohen nga klasa e parë deri në të nëntën, kjo ministri dhe Qeveria e Kosovës do të shpenzojë 20 milionë euro e 123 mijë e 240 euro.

“Kjo është keqpërdorim është zhvatje e buxhetit të shtetit”, vlerëson.

Tutje ka shtuar se Prokuroria duhet “të veprojë me urgjencë për ta ndaluar keqpërdorimin” lidhur me këtë formë të ndarjes së librave.

“Nga 4 milionë e 800 mijë euro brenda një viti Ministria ka planifikuar të shpenzoj mbi 20 milionë euro apo thënë shkurt mbi 15 milionë euro të buxhetit të shtetit bëhen rrush e kumbulla dhe për këtë duhet Prokuroria e Kosovës me urgjencë të veproj dhe të ndaloj këtë keqpërdorim”.

Vitin e kaluar ai theksoi se “të gjithë nxënësit nuk janë subvencionuar” dhe se “përtej kësaj kemi pasur edhe subvencionime edhe furnizime me tekste të dyfishta pabarazi dhe diskriminim dhe pamundësi të grupeve të marxhinalizuara që të aplikojnë në eKosova”.

Ndërsa, deputeti Kastrati, ka thënë se përgjegjës kryesor për këtë situatë është Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se edhe familja e tij do të duhej t’i përjetonin vendimet e tij.

“Të bëjmë një pyetje, për shembull gruaja e Albin Kurtit a do presë nëpër librari si prindërit e tjerë që kanë me prit me orë të tëra në mbi 30 gradë. Pra, një njeri i cili thotë që këtu ka mirëqenie këtu ka avancim në arsim, këtu ekonomia lulëzon. Le të sjellë fillimisht ta përjetojë familja e tij fatin e të tjerëve se sa këtu ka mirëqenie se sa po ec ekonomia, se sa është arsimi në rregull”, ka thënë ai.

“Nuk besoj që ka qytetarë pavarësisht se cilën parti politike e ka votuar që i pëlqen ky vendim me dalë para librarive mbi 30 gradë  dhe me i përjetu të gjitha këto komplikime, si pasojë e kësaj vendimmarrje të Nagavcit, që është vartëse e Albin Kurtit”.

Kastrati e ka cilësuar si situatë “komplekse dhe kaotike”, çështjen e pajisjes së librave.

“Pra, Dragashi duhet të shkojë në Prizren, Kamenica në Gjilan kjo kushton kosto derivate e të tjera ka plotë komuna nëntë janë që s’kanë librari hiç jo të gjitha libraritë kanë raportuar në komision hetimor se s’kanë mundur të pajisen me libra”, ka thënë ai.

Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që t’i hetoj milionat e shpenzuara vitin e kaluar në subvencionimin e librave.

“Nga 4 milionë e 800 mijë të planifikuara këta me ndërrimin e modelit të subvencionimit vjet i kanë shpenzuar 11 milionë e 600 mijë euro, vet e ka thënë Nagavci në komision hetimor pra 7 milionë euro më shumë se në të kaluarën, kurse janë 100 mijë nxënës më pak”.

Anëtari i komisionit hetimor, ka theksuar se historia politike e Kosovës “nuk ka pasur kurrë ministrie më të dobët, më të pa aftë dhe më mediokre se sa Nagavci dhe nuk e them me inati”.

Ndërsa, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nëpërmjet një postimi në platformën sociale Facebook, të enjten, ka njoftuar se brenda 24 orëve, për subvencionim të teksteve shkollore kanë aplikuar mbi 60 mijë prindër.

“Një ditë më parë kemi hapur aplikimin për subvencionimin e teksteve shkollore në Platformën e-Kosova. Sipas të dhënave zyrtare, brenda 24 orëve kanë aplikuar gjithsej 60,244 prindër”, ka shkruar ajo.

Nagavci ka ftuar prindërit të cilët nuk kanë aplikuar që ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Nga dita e mërkurë është hapur shërbimi në platformën e-Kosova për të aplikuar për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore, i shumë kritikuar nga shoqëria civile dhe opozita.

Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 6 milionë euro për të subvencionuar librat dhe materialet shkollore për vitin 2024/25 – ngjashëm si vitin e kaluar ndonëse kjo alternativë që ka zgjedhur ekzekutivi në vitin paraprak kishte krijuar një sërë problemesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore