Paris 2024

Manastirliu pret ekipin olimpik shqiptar: Ngjarje historike, ngritët lartë flamurin kombëtar


Islam Dudaev - Ogerta Manastirliu – Chermen Valiev

Ministrja shqiptare e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka pritur sot në një takim “Team Albania”, ekipin olimpik kuqezi, i cili erdhi nga Lojërat Olimpike të Parisit me dy medalje të bronzta.

Ministrja, e ulur përkahë dy medalistëve të bronztë kuqezi, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, shprehu mirënjohjen dhe felënderimet për dy mundësit pas kësaj ngjarjeje historike të marrjes së dy medaljeve olimpike.

“Vërtet na keni bërë krenarë! Keni ngritur lart flamurin tonë kombëtar dhe është një ngjarje historike fakti që kemi fituar tashmë dy medalje olimpike të bronzta. Për këtë, dua t’ju falënderoj nga zemra”, tha fillimisht ministrja Manastirliu.

“Çdo fitore, sado personale, është mbi të gjitha fitore e një ekipi. Dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë ekipin kombëtar që përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Olimpike, por më lejoni të falënderoj posaçërisht ju, dy medalistët tanë. Faleminderit Chermen Valiev, faleminderit Islam Dudaev, për arritjet tuaja dhe për faktin që keni ngritur lart flamurin e Shqipërisë”, vijoi ajo.

Islam Dudaev – Ogerta Manastirliu – Chermen Valiev

Manastirliu nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për sportistët shqiptarë dhe sportin elitar.

Ajo theksoi politikat dhe investimet e bëra nga qeveria për të përmirësuar infrastrukturën sportive dhe për të krijuar kushte më të mira për përgatitjen e sportistëve.

Sipas saj, sukseset e sportistëve tanë tregojnë se këto përpjekje po japin fryte dhe se sporti shqiptar do të prodhojë edhe më shumë medalje dhe kampionë në të ardhmen.

“Qeveria shqiptare është e angazhuar për mbështetjen e sportistëve në shumë drejtime. Ne këtë vit me buxhetin e vitit 2024 kemi mundësuar rritjen e buxhetit për 8 federata për të mundësuar pikërisht dhe parapërgatitjen për lojërat olimpike”, theksoi ministrja.

“Nga ana tjetër fakti që ju vini me medalje sistemi i shpërblimeve mundëson edhe shpërblimet e dedikuara sipas vendimit të qeverisë që është në fuqi për dhënien e shpërblimeve të medalistëvetanë të cilët do të kenë  mbështetje specifike nga qeveria shqiptare përmes sistemit të shpërblimeve dhe gjithashtu edhe për tre trajnerët e tyre”, tha ndër të tjera Manastirliu.

Përsa i përketë shpërblimeve monetare për dy sportistët medalistë, shteti shqiptar ka nxjerrë një vendim të fundit, më 12 gusht, i cili mban firmën e kryeministrit Edi Rama, dhe ku bëhet e qartë se shuma që përfitojnë dyshja Valiev – Dudaev është 14.7 milionë lekë.

Përveç kësaj shume, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj tha disa ditë më parë se institucioni që ai drejton do t’ju dhurojë dy sportistëve nga një apartament në kryeqytet.

Gjithashtu, sipas ligjit të sportit në fuqi, dy sportistët pritet të gradohen me gradën kolonel në ushtrinë shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore