Kosova

Si e ktheu Albin Kurti “Trepçën” nga “pasuri kombëtare” në “vend me xehe të pakta” brenda natës


Gjatë vitit 2020, në një takim me minatorët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thoshte se “Trepça” është “pasuri kombëtare”.

Ndërkaq gjatë një vizite tjetër në vitin 2021 si opozitar, ai kishte potencuar se mosinvestimi në “Trepçë” është një ndër “krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës”.

Por, katër vjet pas, kryqeveritari kosovar pasi ndau 4 milionë euro për minatorët që mbeten pa paga për katër muaj, pati edhe doza kritike për ta.

Pas paralajmërimeve për protesta, kreu i ekzekutivit theksoi se “ka tepër shumë punëtorë mbi tokë, për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”.

“Do të ndajmë 4 milionë euro dedikuar për mbështetjen ndaj Trepçës, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat. Ka shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ndërkaq 13 ditë më parë, Qeveria kishte njoftuar se përkrahja financiare për ndërmarrjen “Trepça” varet nga zotimi se do të ulen shpenzimet dhe do rifillojë rritja e prodhimit.

“Përkrahja financiare varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit… Nuk ekziston asnjë rrugë tjetër përpos punës dhe angazhimit intensiv, rregullit, kontrollit dhe drejtimit të përgjegjshëm të ndërmarrjes për sukses”, thuhej në njoftim.

Po ashtu, Qeveria pati theksuar ndër të tjera se pret që ndërmarrja “Trepça” të marrë masa në mënyrë që të ngritet kontrolli i brendshëm operativ e financiar, dhe reforma rrënjësore që transformojnë afarizmin e tyre.

Përkundër paralajmërimit për protestë të enjten e 15 gushtit para Qeverisë, minatorët kanë marrë vendim që ta pezullojnë grevën dhe të mos protestojnë para ekzekutivit i cili ndau 4 milionë euro për ta.

Ndërkaq mos përmirësimi i kushteve të punëtorëve të Trepçës, ka dërguar në greva të njëpasnjëshme.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore