Kosova

“Shtatori do të sjell kaos dhe probleme për t’u furnizuar me libra për shkak të Qeverisë Kurti”, thotë PDK-ja


Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besianë Musmurati.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besianë Musmurati, pas vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), që sërish nxënësit të subvenciohen për librat ka vlerësuar se ky vendim do t’i lë nxënësit pa libra në fillim të vitit shkollor.

Musmurati, në një konferencë për media ka deklaruar se 1 shtatori sërish do të fillojë me kaos, konfuzion, e pa libra shkollorë.

“Ky është shtatori i tretë me radhë që na gjen me kriza në arsim. Grevat e mësimdhënësve në 2022, mungesa e librave në 2023, dhe siç po duket prapë mungesa e librave në 2024. Pra fatkeqësisht, çdo shtator po e gjen Qeverinë e Kosoves dhe Ministren Nagavci të papërgatitur”.

“Përderisa rezultatet e testit PISA na kanë alarmuar, Ministrja Nagavci ka vendosë me vazhdu eksperimentimin e saj të pakuptimtë, për mos sigurimin e librave shkollore ne kohe. Në vend se të bëjmë hapa para me reformë strukturore, Ministrja Nagavci po na kthen mbrapa me vendime të gabuara. Pra, edhe njëherë nxënësit e klasave 1 deri në klasën e 9-të do të fillojnë vitin pa libra”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, Qeveria Kurti është duke i shpenzuar mbi 20 milionë euro për blerje të librave të njëjtë që në vitin 2017 janë blerë me rreth 3.5 milionë euro, për mbi 100 mijë nxënës më shumë se tani.

“Ministrja na tregoi që janë 218 mijë nxënës që do të subvencionohen me nga 80 apo 110 euro. Nëse e marrim një mesatare që çdo nxënës do të subvencionohet me nga 95 euro, atëherë i bie që buxhetit të shtetit do ti kushtojë 20 milionë e 776 mijë mije euro pajisja me libra. Pra edhe vonë, edhe gati tre fish më shtrenjtë se nga vitet e kaluara”.

“Për shembull, librin e abetares, me shumicë Ministria me herët e ka blerë me rreth 7 euro, kurse vitin e kaluar prindërit në librari e kanë blerë me rreth 11 euro. Kjo do të thotë për çdo abetare të blerë, prindërit e kanë paguar rreth 4 euro më shumë. Dhe dje prapë na u tha, qe kjo praktikë e dëmshme do të vazhdojë edhe sivjet”, sqaroi Musmurati.

Ndërsa shtoi se ka pasur nxënës që edhe në periudhën e dytë u kanë munguar disa nga librat.

“Për më tepër, në një moment edhe u tha se rimbursimet e fundit të prindërve për vitin e kaluar janë bërë në maj të këtij viti. Pra, mund të konkludojmë që ka pasur nxënës që, që nga shtatori deri në maj, pra një muaj para se të përfundojë mësimi nuk ka pasur fare libra”.

Qeveria e Kosovës, të mërkurën ka ndarë mbi 6 milionë euro për librat e nxënësve.

Për zgjedhjen e kësaj mënyre për t’u furnizuar me libra, ministres Arbërie Nagavci i kanë reaguar edhe disa organizata joqeveritare duke vlerësuar se po shkelin ligjin me subvencionimin e teksteve shkollore.

Deri në vitin shkollor 2023/24, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit e udhëhequr nga Arbërie Nagavci ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore