Kosova

“Rasti Astrit Dehari s’ekziston – zyrtarisht u cilësua si vetëvrasje”, juristët komentojnë sulmet e LV-së ndaj Prokurorisë


Foto: Albanian Post

Njohësit e çështje të drejtësisë i vlerësojnë “të pakuptimta” kritikat e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Prokurorisë Speciale për “zvarritje” të rastit të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit, i cili ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016.

Juristi Arbër Jashari, në një bisedë për Albanian Post ka thënë se rasti Dehari “nuk ekziston më fare”, meqë sipas tij, dy ekspertiza ndërkombëtare nuk kanë arritur të konstatojnë se Deharin e ka vrarë dikush në burg në vitin 2016 dhe po të dyja konstatojnë se aludimi për vetëvrasje është më i qëndrueshëm.

“Rasti Astrit Dehari nuk ekziston. Kur them nuk ekziston, e kam fjalën nuk ekziston si çështje penale, pasi që Raporti i Autopsisë, i përpiluar nga grupi i ekspertëve, në vitin 2016, kishte konstatuar se lëndimet e ish-aktivistit të LVV-së ‘janë të vetëshkatuara’, që ka rezultuar në vetëvrasje. Më këtë ky rast sot e asaj dite zyrtarisht cilësohet si vetëvrasje”, tha Jashari.

Lidhur me akuzat e anëtarit të LVV-së, Sami Kurteshit se pesë prokurorë që janë marrë me zbardhjen e rastit Dehari kanë qenë në prag të pensionimit, Jashari ka theksuar se të gjitha veprimet që organi i akuzës mund t’i marrë më vonë janë “veprime nën presion”.

“Te gjitha veprimet qe prokuroria ka mundur t’i marrë më vonë, janë veprime nën presion të opinionit publik ose politikës, por që deri më tash nuk kanë zbardhur ndonjë fakt, që mund t’i kundërvihet raportit zyrtar të IML-së”, potencoi ai.

Ndërkaq Ehat MIftari nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se hetimi profesional ose do të konfirmonte pretendimet e ngritura nga LVV-ja, “ose do te mund të përfundonte me hetim lidhur me deklarim të rrejshëm të veprave penale”.

“Partitë në pushtet që sundojmë mbi ligjin, përfitojnë më së shumti nga mungesa e sundimit të ligjit, duke shfrytëzuar kulturën e pandëshkueshmerisë”, theksoi Miftaraj.

Për Miftarajn, është po ashtu fakt se Kosova ka sistem prokurorial “vetëm në letër” dhe se Prokurori Speciale të udhëhequr nga persona “jo kompetent” dhe me mungesë të theksuar të guximit profesional.

“Sikur PSRK të kishte kryeprokuror dhe prokuror të guximshëm do të fillonin hetimet lidhur me pretendimet e ngritura nga LVV-ja”, shtoi.

Asgjë e re, Vetëvendosje flet prapë për Astrit Deharin

Të hënën, pa prezantuar asnjë provë, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi, ka akuzuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin kosovar, Kadri Veseli, duke pretenduar se të njëjtët kanë dhënë urdhër “për vrasjen” e Deharit.

Kurteshi ka akuzuar institucionet kosovare, përfshirë policinë dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës duke thënë se ata kanë qenë të përfshirë në “inskenim” të rastit.

Edhe opozita ka reaguar pas konferencës së Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me rastin e Deharit.

Sipas tyre, nuk është përmendur fare djegia e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe humbja e mostrave të Deharit gjatë kohës kur kjo parti është në pushtet.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Madje, policia në shtëpitë e tyre kishte gjetur armë të llojeve të ndryshme dhe prova të mjaftueshme për sulmin ndaj kuvendit.

Organet e rendit përmes një konference për media kishin njoftuar se grupi në fjalë ka marrë përgjegjësi për sulmin ndaj kuvendit, teksa pjesë e tij ishte edhe i ndjeri Dehari.

Ai vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistoj se dikush e ka vrarë atë, derisa sipas opozitës LVV-ja e ka ndezur makinerinë e saj “të turpshme”, për qëllime elektorale dhe politike.

Ndërkaq nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit.

Ata, njëjtë si Vetëvendosje, mendojnë se dikush ua vrau djalin, teksa këtë të hënë ishin para organit të akuzës për të kërkuar drejtësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore