Paris 2024

Padrejtësia ndaj Valiev në ‘Paris 2024’, KOKSH ankimon në CAS


Chermen Valiev

Chermen Valiev fitoi medaljen e bronzit në Lojërat Olimpike të Parisit, duke i dhënë kështu medaljen e parë historike Shqipërisë. Mirëpo, ajo medalje mund të shndërohet në të artë, nëse Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) fiton çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Valiev u eliminua në çerekfinale të disiplinës mundje stil i lirë deri në 75 kilogramë përballë uzbekut, Jamalov Razambek, me vendim të gjyqtarëve 6-5.

Ishte një vendin, i cili la të shtangur Valiev-in dhe gjithë stafin e mundjes kuqezi. Madje, çështja shkoi deri aty sa Federata Shqiptare e Mundjes (FSHM) reagoi zyrtarisht duke e quajtur “vjedhje” këtë rast.

Por, tani, kreu i FSHM-së, Sahit Prizreni ka folur për “RTSH”, duke shpjeguar se është dërguar një ankimim në CAS.

Dhe nëse CAS vendos pro ankimimit të FSHM-së dhe KOKSH-it, atëherë Valiev do të jetë një medalist i artë në Lojërat e Parisit, pasi Razambek e mori të artën pasi kaloi fillimisht mundësin kuqezi.

“Chermen Valiev-it i është mohuar ndeshja në gjysmëfinale, i është vjedhur dhe ne kemi bërë një ankimim në CAS. Unë pretendoj që drejtësia të vihet në vend. Ajo që ka ndodhur me Chermen Valiev dhe kundërshtarin nga Uzbekistani është një vjedhje e hapur pasi nuk ka rregullore që justifikon ato që bëri arbitri ku morën 10 sekondat e fundit duke i marrë pikë djalit tonë”, tha Prizreni për “RTSH”.

“Ndjemë që na është bërë padrejtësi, por kur morëm dy medalje ndihem pak i lehtësuar dhe i lumtur që ne ja dolëm. Unë shpresoj që drejtësia do të vihet në vend dhe nëse kjo ndodh do të thotë që ne do kemi një medalje ari dhe një bronzi”.

“Ka precedent të një rasti të një vajze në Indi, e cila mori medaljen e artë nga SHBA pasi drejtësia foli pas përfundimit të lojërave. Shqipëria e ka kryer misionin e saj”, theksoi kreu i FSHM-së.

Chermen Valiev i jep Shqipërisë medaljen e parë olimpike në histori

Reagimi i parë i FSHM-së

Federata Shqiptare e Mundjes ka shpërthyer në një indinjatë, përmes një reagimi publik, duke thënë se janë vjedhur haptazi në Lojërat Olimpike Paris 2024.

Rasti i përmendur është ai i mundësit shqiptar Chermen Valiev, i cili në raundin çerekfinal, zhvilluar më 9 gusht, është mundur nga garuesi i Uzbekistanit, Razambek Salambekovitch, me vendim gjyqtarësh 6-5 në “Champ-de-Mars Arena”.

Por, pavarësisht rezultatit, Federata Shqiptare pretendon se ka pasur shkelje të hapura dhe vendime të padrejta në këtë ndeshje, të cilat e kanë penalizuar Valievin.

Madje, sipas Federatës, nuk bëhet fjalë thjesht për “padrejtësi të vogla”, por këto të bëra ndaj Valiev, janë të mëdha dhe kushtëzuese.

Sipas reagimit, Valiev në ndeshjen çerekfinale, në sekondat e fundit ka humbur me një vendim te padrejtë të gjyqtarisë, 6-5 në favor të mundësit nga Uzbekistani, ku ndeshja ishte terësisht e dominuar nga Valiev, por pa mundur të marr fitoren e mohuar.

“Me kaq guxim të madh dhe kaq haptazi, dje vodhën finalen nga sportisti ynë dhe ëndrrën tonë dhe të tij, për medaljen historike”, vijon Federata. “Ky diskriminim në këtë event sportiv me rendësi kaq të madhe lë realisht për të dëshiruar. Vjedhje!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore