Kosova

Aliu pret që sivjet të përfundojë magjistralja Prishtinë – Podujevë, por s’e garanton të njëjtën për autostradën Prishtinë – Gjilan


Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në një intervistë për agjencinë kosovare të lajmeve “Kosova Press” të dielën, ka thënë se pret që rruga Prishtinë – Podujevë të përfundojë gjatë këtij viti, por s’e ka premtuar të njëjtën edhe për autostradën Prishtinë-Gjilan.

“Ne jemi duke bërë çmos që punët në magjistralen Prishtinë-Podujevë të ecin sipas dinamikës që është e paraparë, dhe ashtu është duke ndodhur. Pra, brenda afatit një vjeçar, që mendojmë që në fundin e këtij viti do të kemi frekuentim të rregullt, me katër korsi, të kësaj rruge”, ka theksuar Aliu.

Aliu ka nënvizuar gjithashtu se edhe punimet në rrugën Prishtinë – Mitrovicë pritet të kryhen brenda këtij viti, porse nuk ka garantuar për autostradën Prishtinë – Gjilan, që ka filluar të ndërtohet në muajin prill të vitit 2018 dhe parashihej të përfundonte brenda 30 muajsh, apo në fund të vitit 2020.

“Tek rruga në Mitrovicë ka një dinamikë të rregullt, edhe atje presim që gjithçka ta kryejmë brenda këtij viti, sidomos pjesën që e kemi veç me katër korsi deri në Vushtrri, veçse e kemi pothuajse të përfunduar. Tek pjesa e Gjilanit kemi vështirësi. Ka pasur disa probleme me skarpatet, ka pasur shembje të ndryshme, që kanë detyruar të ndryshohet komplet projekti”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore