Paris 2024

“Chef” Curry i jep Amerikës të artën olimpike në basketboll


Kur loja bëhet e fortë, të fortët futen në lojë dhe nëse dikush duhet ta gatuante të artën amerikane në basketboll në Paris, ai nuk mund të ishte tjetërkush, veçse Stephen Curry.

I magjishmi i Golden State Warriors mori gjithka në dorë në finalen e “Dream Team” kundër Francës, tejet e luftuar deri në fund, për të mposhtur të zotët e shtëpisë me rezultatin 98-87.

Në një përsëritje të asaj që ishte finalja olimpike e një viti më parë, u duk qartë epërsia e amerikanëve në ndeshje, ku asnjëherë nuk e lëshuan avantazhin që patën krijua prej fillimit.

Megjithatë, nuk pati as një shkëputje realisht të madhe nga ekipi i SHBA-ve, pasi Franca qëndroi në lojë deri në sekondat e fundit, kur edhe Curry nxorri nga repertori i tij i mendur trepikësha radhazi, duke i vënë në gjumë francezët.

Ai realizoi në ndeshje 24 pikë dhe të gjitha erdhën falë tetë gjuajtjeve për tre.

Një ndeshje shumë të mirë për amerikanët patën edhe Kevin Durant me Devin Booker, secili me nga 15 pikë. Teksa, LeBron James, realizoi 14 pikë dhe dha 10 topa përcaktues, në atë çfarë mund të jetë lamtumira e ëmbël e tij nga kombëtarja amerikane.

Ndeshje shumë të mirë për Francën ndërkohë pati ylli në rritje i NBA, Victor Wembanyama, i cili realizoi 26 pikë dhe kapi 7 topa në tabelë.

Guerschon Yabusele po ashtu zhvilloi një takim të mirë për Francën me 20 pikë të shënuara. Por, atëherë kur duhej, “Les Bleus” nuk ishin të saktë në goditje.

Kjo ishte edhe e arta e 38-ë për SHBA-të dhe medalja e 122-ë në Paris.

Për Francë ndërkohë, argjendi i 24-ërt dhe medalja e 62-ë në tërësi, e cila e mban brenda pesëshes së parë në Lojërat Olimpike.

E diela e 11 gushtit ndërkaq do të shohë edhe mbylljen përfundimtare të lojërave, ku e mbyll po e njëjta sfidë, SHBA-Francë, por këtë herë për femra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore