Kosova

Anulohet vendimi për emërimin e Bashkim Kurtit në krye të Trepçës


Foto nga arkivi

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Bashkim Kurtit si kryeshef i kompleksi metalurgjik “Trepça”, ndonëse kishte nisur ta ushtrojë këtë detyrë në muajin janar të këtij viti.

Vendimi është bërë i ditur përmes një dokumenti të Gjykatës Themelore të Mitrovicës i cili u publikua fillimisht në Veriu.info.

“APROVOHET kërkesëpadia e paditësit Burin Asllani nga Mitrovica, ne tërësi si e bazuar, ANULOHET vendimi i datës 11.01. lit 243 i Bordit të Përkohshëm”.

“DETYROHET e paditura Trepça Sh.A – t’ia paguaj paditësit shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë të përgjithshme prej 358.8 euro (me fjalë: treqind e pesëdhjetë e tete euro e tetëdhjetë cent), të gjitha në afat prej 7 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit të detyrueshëm”, thuhet në dokument.

Paditësi Asllani, vendimin për emërimin e Kurtit e kishte cilësuar si të kundërligjshëm.

“Paditësi me datën 06.02.2024, pranë kësaj gjykata ka paraqitur padi, kundër të paditurës Trepça Sh.A me të cilën ka kërkuar që të anulohet si i kundërligjshëm vendimi i datës 11.01.2024 me nr. të protokollit 243 i Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës të Trepça Sh.A., përmes të cilit është zgjedhur Kryeshef Ekzekutiv Z. Bashkim Kurti”.

Vendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Minatorët e Trepçës kanë hyrë në ditën e 24-të grevës për shkak të mosekzekutimit të pagave dhe shujtave ushqimore.

Përfaqësuesit e minatorëve të Trepçës kanë potencuar se ka pasur shitje në “Trepçë” gjatë këtij viti, prandaj e kanë parë të paarsyeshëm mosekzekutimin e pagave.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar të enjten në një deklaratë për shtyp se përkrahja financiare për ndërmarrjen “Trepça” varet nga zotimi se do të ulen shpenzimet dhe do rifillojë rritja e prodhimit.

Mos përmirësimi i kushteve të punëtorëve të Trepçës, ka dërguar në greva të njëpasnjëshme.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.

Kryeshefi i Trepçës dhe Qeveria Kurti të painteresuar për hallet e mbi 700 minatorëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore