Shqipëria

“Rilindja në Artin Pamor Shqiptar”, ekspozita e re e Muzeut Marubi


Muzeu Marubi dhe Instituti i Antropologjisë do të çelin ekspozitën “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno – Rilindja në Artin Pamor Shqiptar”.

Ekspozita e kuruar nga Luçjan Bedeni, do të hapet për publikun më 19 gusht.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, e njëkohësisht kuratori i ekspozitës, Luçjan Bedeni, ka bërë me dije se prej disa vitesh ka bërë kërkime për Marubët dhe Idromenon.

“Gjatë hulumtimit të fundit në fototekën e Institutit të Antoropogjisë ku ruhen disa negativë me vlerë të Idromenos, kam arritur në konkluzionin se shkrepjet e tij mund të plotësohen me më shumë të dhëna. Kjo për fatin e mirë të ekzistencës të koleksionit të Marubëve, i cili i vjen shumë në ndihmë”, ka thënë Bedeni.

Imazhet e burrit të përzgjedhur për posterin e ekspozitës “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno” janë një dëshmi konkrete se si arkivët fotografik komunikojnë mes tyre.

Fotografia e burrit me brirë, e cila ruhet në fototekën e Muzeut Marubi rezulton të jetë shkrepje e Kel Kodhelit (Marubi).

Teksa imazhi i ngjashëm me të, fotografia e burrit me fes, që ruhet në Institutin e Antropologjisë rezulton të jetë shkrepje e Idromenos.

Por cila është autorësia e saktë?

Bedeni mendon se është Kolë Idromeno, kjo pasi fotografia e shkrepur nga Kel Kodheli (Marubi) është një foto e retushuar por edhe e riprodhuar.

Duke ditur që Idromeno ishte edhe një piktor i zoti, mendohet se e ka bërë ai retushimin e brirëve të personit dhe Keli riprodhimin e fotos së retushuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore