Gjykata Speciale

Specialja thotë se urdhri për zhdëmtim të viktimave në rastin e Mustafës mund të zbatohet


Salih Mustafa.

Gjykatësi në çështjen gjyqësore të Salih Mustafës është pajtuar me kërkesën e mbrojtjes së viktimave se urdhëri për zhdëmtim mund të zbatohet menjëherë.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep, përmes informimit javor ka sqaruar se zhdëmtimi mund të bëhet pasi s’ka vendim të formës së prerë në këtë cështje.

“Në këtë vendim, gjykatësi i vetëm u pajtua me mbrojtësen e viktimave se urdhri për zhdëmtim mund të zbatohet menjëherë duke qenë se z. Mustafa nuk e apeloi dhe se ka vendim të formës së prerë në këtë çështje gjyqësore”, tha Griep.

Ajo theksoi se gjykatësi e ka ftuar Mustafën që ta bëjë pagesën vullnetarisht.

“Ai, gjithashtu lëshoi urdhra lidhur me pasuritë e mundshme të z. Mustafa që mund të përdoren për zbatimin e pjesshëm të Urdhrit për Zhdëmtim mbi bazën e pagesave proporcionale të viktimave”.

“Gjykatësi i Vetëm udhëzoi Administratoren që, sapo të merreshin fondet, të konsultohej me Mbrojtësen e Viktimave për mënyrën më efikase për dorëzimin e fondeve të akorduara për secilën viktimë”.

Ajo ka ritheksuar se Mustafa nuk lirohet nga detyrimi për ta shlyer plotësisht zhdëmtimin.

“Për të siguruar pajtueshmëri të plotë me Urdhrin, gjykatësi i vetëm udhëzoi Administratoren të vlerësonte mjetet aktuale dhe të ardhshme të z. Mustafa, duke mbajtur parasysh edhe nevojat e familjes së tij”, tha Griep.

Ndërsa, sa i përket çështjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ajo bëri të ditur se është lëshuar vendim për pranimin e dy viktimave të tjera në këtë proces gjyqësor.

“Trupi Gjykues theksoi në këtë vendim se afati për dorëzimin e kërkesës për të marrë pjesë si viktimë në këtë çështje gjyqësore kishte përfunduar më 15 shkurt 2023. Sidoqoftë, Trupi Gjykues konstatoi se kishte arsye të vlefshme dhe i pranoi kërkesat, ndonëse ato u dorëzuan pas afatit. Kjo e çoi numrin e viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore në 154 gjithsej”, tha tutje Griep.

Kurse për çështjen e Pjetër Shalës ajo theksoi se kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova, ka caktuar panelin e Apelit për vendosur lidhur me kërkesën e mbrojtjes së Shalës për të zgjatur afatin për dorëzimin e njoftimit për apel.

“Në bazë të këtij vendimi, Mbrojtësi i Viktimave do të vijojë të ketë qasje në dosjen e plotë të çështjes, do të njoftohet lidhur me të gjitha materialet provuese të nxjerra dhe të shpërndara, mund të vazhdojë të bëjë parashtrime me shkrim për sa kohë që ato lidhen me interesat e viktimave pjesëmarrëse si dhe do të vazhdojë të informojë viktimat për procesin”, tha Griep.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore