Deputetët e VV-së bllokojnë komisionin parlamentar për llogari të Selajdin Beqës, njeriu me aktakuzë që rrahu kolegun në zyrë
Për sulmin fizik që e kishte përjetuar Shemsi Elezi, nga kolegu i tij, Selajdin Beqa, ushtrues i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në Autoritetin e Konkurrencës, në korridorin e këtij institucioni, iu drejtua me një shkresë Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti dhe Industri, meqë kryetarja e Autoritetit, Neime Binaku, nuk po e largon Beqën nga puna përkundër se i është ngritur aktakuzë.
Kur Elezi iu shkroi deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i njoftoi ata se nëse ankesa e tij do të ishte trajtuar në kohë, kjo letër s’do të kishte nevojë të dërgohej fare.
Por, pavarësisht shpjegimit në detaje rreth rastit të tij, ku kishte shprehur shqetësimin për situatën e krijuar, nuk pati veprime konkrete as nga ky komision.
Ai në letër iu rrëfen se si e shteri çdo mundësi në kërkim të zgjidhjes, por pa rezultat.
“Unë i kam provuar të gjitha mundësitë që shqetësimet e mija të trajtohen brenda institucionit dhe tani jam detyruar të ju njoftoj edhe juve si komision që e mbikëqyrni Autoritetin e Konkurrencës lidhur me padrejtësitë që po më bëhen në vazhdimësi nga Kryetarja dhe Drejtori i Përgjithshëm, sepse këta të dy janë të vetmit zyrtarë që po e udhëheqin Autoritetin e Konkurrencës”, thuhet në shkresën e tij.
Kjo situatë e krijuar e kishte rënduar dhe dëmtuar jashtëzakonisht atë në shumë forma.
Elezi përmend edhe zyrtarë të tjerë të angazhuar në këtë institucion të cilët ndajnë të njëjtën brengë.
Siç shkruan ai, rasti i tij ka ngjallur te ata pasiguri, frikësim e demotivim.
Pra, gjendja brenda në këtë institucion potencohet se është e rëndë dhe është kthyer në diçka jashtë normales.
“Autoriteti i Konkurrencës si pasojë e mos veprimit të Kryetares ka sjellë një gjendje jonormale në Autoritet dhe pasiguri tek zyrtarët ne Autoritet, sepse kjo praktikë e ushtrimit të dhunës dhe presionit psikik ndaj zyrtarëve po përsëritet dhe sjellë frikësim e pasiguri çdo ditë në Autoritet”, thotë Elezi.
Albanian Post ka tentuar të marr përgjigje nga deputetët që e përbëjnë këtë komision, nëse janë angazhuar lidhur me rastin e Elezit.
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, e ka pohuar për Albanian Post se e kanë pranuar letrën.
“Po, është e vërtetë që ne kemi marr shkresë para disa ditëve për të mos thënë ndoshta edhe muaj. Kemi pasur një debat të hapur në komision, ku prezent kanë qenë edhe zoti Beqaj edhe Kryesuesja e Autoritetit dhe disa zyrtarë të tjerë”, ka thënë Shala.
Ai tregon se si kjo çështje është diskutuar në komision dhe është kërkuar që të vazhdohet me monitorim më të veçantë për t’u identifikuar shkeljet ligjore e të tjera.
“Problematikat kanë mbetur që ne si komision të marrim shkresat zyrtare nga të gjitha palët. Përkundër kësaj ne kemi bë edhe një propozim nga kolegia deputete e LDK-së (Valentina Bunjaku) që kjo çështje të procedohet në një monitorim pak më të veçantë si anëtarë të komisionit për shkeljet eventuale ligjore dhe diçka tjetër”, tha ai për AP.
Mirëpo, kjo u refuzua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Parimisht për shkak të numrit të votave që opozita ka, për shkak të pamundësisë për me marr veprime konkrete, sepse atje vendimet merren me shumicë votash, opozita nuk ka mundur ta ndjek këtë çështje më tutje në kuptimin e Komisionit Parlamentar për Ekonomi dhe parimisht përkundër ngritjes së aktakuzave dhe shumë dëshmive, do të thotë çështja ka mbetur e njëjtë edhe pas debatit që kemi pasur në komision”, deklaroi Shala.
Kryetari Shala potencoi se deputetët e shumicës “nuk kanë pasur disponim” për të marr masa pavarësisht shkeljeve të shumta që ndodhin aty.
“Ne e kemi të pamundur marrjen e çdo mase për shkak që nuk kemi pasur disponim nga shumica parlamentare në komision, përkundër që kemi pasur propozime konkrete, diskutime shumë konkrete nga opozita”.
“Përkundër që kemi pas shumë argumente dhe praktikisht e kemi parë që mazhoranca përkundër të gjitha këtyre shkeljeve do të thotë jo që s’ka marr masa, por parimisht e ka avancuar kandidatin dhe që është e vërteta shkeljet jo vetëm të kësaj natyre, po edhe të natyrave tjera në autoritet janë në shkallë shqetësimi”.
Edhe deputeti Pal Lekaj, anëtar në këtë komision, tha që ata janë bllokuar që të veprojnë për rastin sepse deputetët e partisë në pushtet nuk kanë lejuar të vazhdohet me procedurat e tjera.
“Sa i përket këtij procesi personalisht e kam diskutuar mirëpo dihet që ata e kanë shumicën e votës edhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim edhe pse ata raportojnë tek ne, mirëpo rasti duhet të shkojë në Prokurori dhe të vendosin ata përndryshe është e pamundur sepse po na mbivotojnë me vota”, ka thënë ai.
Lekaj shtoi se “këta si çdo pjesë tjetër, këta po e kanë arrogancën e numrave dhe aty ku kanë interes si Lëvizje Vetëvendosje apo klane të caktuara këta e frenojnë në çdo kohë dhe e kot është që ne të bëjmë ndonjë zgjidhje sepse po dominon ngjyra partiake”.
Albanian Post tentoi që të marr një përgjigje nga deputetët e VV-së se pse nuk janë ndërmarrë veprime për ngjarjen që ndodhi në AKK dhe pse nuk kanë lejuar që të vazhdohet me procedura e tjera.
Redaksia i ka njoftuar për çështjen të cilën është duke e trajtuar, por ata nuk janë përgjigjur në thirrjet, në email-et e në mesazhet që u ka dërguar atyre që nga dita e hënë.
Albanian Post, pati raportuar, se si Shemsi Elezi, po ecte në korridor jashtë zyrës së tij në Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës, kur ndjen një dhimbje të fortë nga prapa.
Diçka e kishte goditur fuqishëm në kokë, afër qafës.
Do ta kuptonte se ishte sulm nga një person tjetër, kur kontakti fillestar do pasohej me breshëri grushtesh prapa kokës, në qafë e në fytyrë.
Ai po rrihej brutalisht në ambientin e tij të punës nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në Autoritetin e Konkurrencës, Selajdin Beqa, kolegu i tij.
Elezi nga goditjet u plandos për toke, derisa Beqa veç grushteve i futi në kombinim edhe shqelmat.
Nuk ndalej.
Dhunën terrorizuese ndaj Elezit, siç përshkruhet më pas edhe në aktakuzën e ngritur ndaj Beqës, do ta ndërpriste ndërhyrja e kolegëve të tjerë në zyrë, të cilët nuk po e kuptonin akoma se çfarë po ndodhte.
Së paku tre prej tyre, Etrit Tetova, Florent Mehmeti dhe Enis Shatri, deklaruan edhe në polici për çfarë u panë sytë atë ditë (29 nëntor 2023) dhe se si e kishin tërhequr më pas Beqën për ta shpëtuar kolegun e tyre Elezi, që në atë kohë mbante pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut.
Përpos, kësaj, për katër muaj rresht zyrtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, u vëzhguan ilegalisht nga kamerat që i kishte vendosur dhe i kontrollonte Selajdin Beqa, Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni, të cilit më herët iu kishte ngritur aktakuzë për rrahjen brutale të kolegut në vendin e punës.
Vendosja e kamerave fillimisht ishte kërkuar nga vetë punëtorët e agjencisë qeveritare pasi kishin parë kolegun e tyre Shemsi Elezi tek përgjakej nga grushtet e shqelmat që nuk ndaleshin nga Beqa, i cili e rrahu Elezin pasi ky i fundit e ballafaqoi me shkeljet e shumta ligjore.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë