Kosova

“Kemi nisur punën për t’u furnizuar me libra shkollor”, thotë Nagavci


Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se janë duke punuar për çështjen e furnizimit me tekste shkollore për të cilën do të mbahet një konferencë e veçantë për media për të dhënë më shumë informacione.

Nagavci, para gazetarëve sqaroi se listat e teksteve janë finalizuar dhe miratuar dhe të njëjtat janë ndarë me drejtoritë e arsimit.

“Të njëjtat janë dorëzuar te MASHTI. Kemi pranuar tashmë edhe prej shtëpive botuese të dhënat e para në lidhje me negocimin e çmimeve dhe procesin deri te finalizimi i teksteve. Puna po vazhdon”.

“Besoj se për procesin e furnizimit me tekste shkollore, shumë shpejt do të kemi konferencë të veçantë, ku do të ndajmë të gjitha të dhënat”, ka thënë Nagavci.

Tashmë është themeluar edhe një Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024.

Ministria e Arsimit në vitin 2023 dështoi në sigurimin e teksteve shkollore për filloristët, Arbërie Nagavci, e cila drejton dikasterin në fjalë kishte uruar 1 shtatorin – fillimin e vitit të ri shkollor – për të gjithë nxënësit e vendit, duke thënë se MASHT-i në koordinim me komunat kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e këtij viti shkollor.

Deri në këtë vit shkollor, shkollat në gjithë Kosovën kishin përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk ishin marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Ky proces ishte parë si i komplikuar pasi që prindërit duhej të angazhoheshin të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin.

“Aventurat” e Nagavcit me Shtëpinë Botuese ALBAS: Bashkëpunëtorët e ministres – ata i botojnë libra, ajo iu jep tenderë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore