Kosova

ASK publikon rezultatet preliminare: Kosova ka mbi 1.5 milion banorë


Disa qytetarë të Kosovës.

Në Kosovë jetojnë 1 milion e 586 mijë e 659 banorë.

Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, pasi që ka publikuar të premten të dhënat paraprake të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Sipas këtyre të dhënave, në Kosovë jetojnë 795 mijë e 46 meshkuj dhe 791 mijë e 614 femra.

Të dhënat preliminare nga diaspora janë rreth 600 mijë të regjistruar, njoftoi Kastrati, deri bëri me dije se procesi i regjistrimit të diasporës është duke vazhduar.

Sipas këtij regjistrimi, mosha mesatare për vitin 2024 është 34.82. Raporti gjinor nuk ka ndryshime, pak më shumë dominojnë meshkujt.

Dendësia e popullsisë, sipas këtij regjistrim, është 45.5 banorë, që shënon rënie në raport me vitin 2011, që ishte 59.5 banorë.

Komunat me dendësinë më të madhe janë: Fushë Kosova me 762 banorë, Mamusha me 513 banorë dhe Prishtina me 434 banorë.

Komunat me rritje të popullsisë më të madhe në për qindje janë Fushë Kosova me 83,99 për qind, Parteshi me 81, 93 për qind, Shtërpca me 56, 71 për qind,  Graçanicë me 81,46 për qind, Kllokoti me 19,13 për qind, Prishtinë me 14,21 për qind, Obliqi me 5,78 për qind.

Kastrati bëri me dije se për dallim nga viti 2011, serbët që jetojnë në jug kanë marrë pjesë të gjithë në regjistrimin e popullsisë.

Komuna me më së shumti banorë është Prishtina me 227 mijë e 154, e pasuar nga ajo e Prizrenit me 147 mijë e 428, pastaj Ferizaj me 109 mijë e 345.

Të dhëna për numrin e popullsisë u publikun edhe për katër komunat Veriore – të banuara me shumicë serbe.

Sipas të dhënave, në Mitrovicë të Veriut janë 2 mijë e 346 banorë, në Leposaviq 3 mijë e 207 banorë, në Zubin Potok 758 banorë dhe Zveçan 435 banorë.

Por, Kastrati njoftoi se në këto komuna pati bojkotim në masë të madhe.

Numri i banesave, sipas ASK-së, është 560 mijë, ndërsa numri i ekonomive familjare është 353 mijë, teksa numri mesatar i anëtarëve për familje është 4.5 banor.

Procesi i regjistrimit të popullsisë kishte nisur më 5 prill.

Fillimisht ishte caktuar që të përfundonte më 17 maj, por pas kërkesave të disa komunave, procesi u shty deri më 24 maj.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë, dhe ashtu ndodhi.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në Veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin.

Sipas rezultateve përfundimtare të regjistrimit në vitin 2011, 1 milion 739 mijë e 825, ishte numri i banorëve që jetojnë në territorin e Kosovës.

Sipas këtyre rezultateve 92.93 për qind ishin shqiptarë, ndërsa të tjerët i takonin komuniteteve tjera që jetojnë në vend.

Po ashtu, thuhej se 61% e popullsisë jetojnë në zonat rurale ndërsa 35% janë ekonomikisht joaktiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore