Kosova

“Të sigurta” dhe “menaxhohen mirë”, thotë MSH-ja për akuzat se barnat u dëmtuan pasi që depoja u fundos nga uji


Foto: Albanian Post.

Ajrosja, ndriçimi, e izolimi janë problemet kryesore që në përditshmëri i ka depoja e barnave, por që gjatë ditëve të fundit pati akuza edhe për dëmtim të barnave për shkak se në të pretendohej se ka hyrë uji gjë që ka çuar në dëmtimin e barnave të ruajtura aty.

Por, që sipas institucioneve këto akuza s’qëndrojnë.

Gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi të martën ministri Arben Vitia, deklaroi se s’është i informuar nëse depoja e barnave është fundosur nga uji për shkak të vërshimeve – akuza këto të cilat u ngritën nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu.

Një ditë më pas, ministria e Shëndetësisë përmes një përgjigje për Albanian Post ka thënë se këto pretendime nuk qëndrojnë dhe se gjendja e tyre aktualisht është e mirë.

Të njëjtat, sipas MSH-së janë edhe të sigurta.

“Barnat të cilat gjinden në Depon Qendrore të MSh-së, janë të sigurta dhe menaxhohen në mënyrën me të mirë. Kështu që, këto akuza nuk qëndrojnë dhe mund të vërtetoni gjendjen e barnave në çdo moment”, ka thënë ministria për AP.

Nga ky dikaster është thënë se tashmë ministria ka hartuar planin e veprimit për depon e re.

“Gjithashtu janë marrë hapat për shpronësim, ku pritet vendimi përfundimtar i Qeverisë për shpronësimin e kësaj depo, ndërkohë MSh ka përcaktuar hapësirën për depon e barnave dhe në të njëjtën kohe, e njëjta depo është marrë me  qira deri në shpronësimin përfundimtar”.

Depoja Qendrore e Barnave në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sipas ministrisë, tashmë është kontraktuar edhe një kompani për projektimin e depos së re.

“Sot nga Zyrtari Kryesor Administrativ është nxjerrë edhe vendimi i grupit punues, i cili do të përcaktoj termat e referencës për asgjësimin e barnave pa afat që gjenden në depo të MSh-së”.

Gjatë raportimit të martën Vitia, është pyetur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, rreth akuzave që depoja e barnave është fundosur nga uji për shkak të vërshimeve.

“Përse ruhen barnat në një depo ku depërton uji, e dihen kriteret që janë për një depo farmaceutike?”, ka qenë pyetja e Haxhiut.

Vitia, ka thënë se s’ka pranuar ndonjë informacione se kjo depo është fundosur nga uji nga vërshimet, duke thënë se do të angazhohet për të kuptuar nëse të njëjtat akuza janë të sakta.

“Unë nuk kam pasur lajmërim që është fundosur nga uji apo ka shkaktuar dëme, e cila besoj se nuk u kishte ikur zyrtarëve pa më informuar. Por, pas kësaj që ma thatë ju unë do ta verifikoj”.

Për problemet e depove të barnave ai e ka vlerësuar vetën si tejet “të zëshëm”, për të zgjidhur problemet që ka pasur kjo depo ndër vite.

“Kam qenë i zëshëm që nga viti 2009-2010 për mënyrën se si janë ruajtur barnat. Asnjë depo deri tani nuk i ka plotësuar as për afërmi kushtet për ruajtën e barnave, për këtë arsye menjëherë në fillim të vitit të kaluar së bashku me AKP-në, kemi filluar bisedimet për transferimin e një objekti në Ministrinë e Shëndetësisë, që të nisim investimet”.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovë, Bekim Haxhiu.

“Fatkeqësisht, aty pastaj ka dalur një pronë private, në të cilën pastaj e ka vonuar pak procesin sepse është dashur të bëhet zhvlerësimi, proces ky që ka përfunduar në një mbledhje të Qeverisë dhe tani jemi në procedura për investime në barnatore qendrore”, ka deklaruar Vitia.

Më 7 korrik, Haxhiu, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë po i ruan barnat në depo “të fundosura nga uji”, derisa sipas tij, i ka akomoduar stafin në një objekt në vlerë mbi 1.2 milionë euro, duke e cilësuar si “skandal” të radhës të MSh-së.

Kosova është duke synuar të krijoj një depo të barnave në nivel qendror që do të shërbej për të ruajtur dhe furnizuar institucionet shëndetësore me barna dhe pajisje mjekësore.

Ndonëse, tentativa të tilla ka pasur edhe në të kaluarën tashmë është marrë një hap fillestar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila ka shpronësuar një parcelë për të ndërtuar një depo për ruajtjen e barnave që sipas institucioneve “do t’i plotësojë të gjitha standardet”.

Megjithatë, ky plan mund të has në sfida të buxhetit pasi që kërkohet që për ndërtimin e një depo të barnave të ketë planifikim të kujdesshëm e burime të mjaftueshme financiare.

Realizimi i saj po ashtu, duhet të ketë mbështetje nga organizatat ndërkombëtare dhe partnerë të tjerë.

Ministria e Shëndetësisë, ka një depo qendrore por për të njëjtën ishte raportuar se edhe barnat me afat e edhe ato me të skaduara ruhen bashkë.

Kapacitet dhe sfidat financiare për të ndërtuar Depon Qendrore të Barnave në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore