Kosova

Zemaj kërkon shkarkimin e Vitisë


Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kërkuar shkarkimin ose dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, pas anulimit të listës zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale, pas paralajmërimit se e njëjta do të jetë e gatshme deri në fund të vitit.

Kërkesa e Zemaj, ka ardhur gjatë raportimit të ministrit të Shëndetësisë në Komisionin për Shëndetësi.

“Nëse po thoni që janë gabime teknike për listën zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale, ka kaluar një muaj që nga anulimi e tash po thoni që në vjeshtë do të jetë lista e re. Po të isha në vendin tënd do të merrja masa, ose kryeministri të merr masa ndaj teje se na veç flasim kot këtu”. ka thënë ai.

Sipas tij, anulimi i listës është bërë për shkak të mungesës së informacioneve në raport me listën zyrtare të përgatitur.

“Ne kemi dëshmuar me votë që jemi pro këtij procesi dhe kjo mungesë informacioneve ka sjellur deri në këtë proces që të raportojmë deri këtu”.

Vitia, në Komisionin për Shëndetësi gjatë raportimit për listën zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale, ka premtuar se s’do të ketë tendenca për manipulim e s’do të ketë rritje të çmimeve të barnave – ndonëse e njëjta është anuluar me 7 qershor për shkak të parregullsive që ka pasur.

“Unë ju garantoj që nuk do të ketë qasje dhe as tendenca për manipulime. Nuk do të ketë as rritje të çmimeve të barnave, do të jemi të gjithë dëshmitarë në muajt e fundit të këtij viti kur do të filloj zbatimi i këtij ligji dhe do të jetë lista përfundimtare”, deklaroi ai.

Duke shtuar se, “të gjithë institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës, do t’i marrin barnat me çmim shumë të ulët, sesa që janë tani”.

Ndryshe, që nga paslufta në Kosovë, asnjëherë spitalet publike në Kosovë nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale të barnave 100 për qind.

Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore