Financa

Qeveria ua heq policën prej 30 euro mërgimtarëve, derisa ua lë biletat më të shtrenjta në Evropë


Ilustrim

Duke e prezantuar si një sukses të madh të Qeverisë, ministri i Financave, Hekuran Murati, njoftoi se nga “1 korriku të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund të marrin policën e sigurimit falas”.

Polica e Sigurimit për mërgimtarët e shumtë të Kosovës kushtonte 30 euro, ekuivalenti i 2 pakove me cigare në vendet e Bashkimit Evropian ku jeton shumica e diasporës kosovare.

Por, kjo pagesë e kësaj shume të papërfillshme asnjëherë nuk ka qenë shqetësim, krahasuar me problemin e vërtetë për mërgimtarët: biletat super të kushtueshme për të gjithë ata që përzgjedhin si vend aterimi aeroportin “Adem Jashari”, në Prishtinë.

Ndihma e madhe për mërgimtarë do të ishte hartimi eventual i politikave dhe legjislacionit për sektorin e Aviacionit Civil nga Qeveria e Kosovës, në mënyrë që biletat për në Prishtinë dhe nga Prishtina në botë të ishin përafërsisht të konkurrueshme me biletat shumë më të lira në vendet e rajonit nga destinacione të njëjta.

Mërgimtarët shqiptarë kanë treguar se marrja e një bilete avioni për dhe nga Kosova ka një kosto tejet të lartë.

Hysni Konjusha, një kosovar që rrugën qiellore nga Gjermani për në Kosovë dhe anasjelltas e ka të përmuajshme, ankohet për këto bileta me çmime që s’u ulën kurrë.

Tash e 16 vjet jeton në Gjermani, tash e 16 vjet ia tkurrin buxhetin familjar tiketat e avionit me çmimin më të lartë në kontinent.

“E di që moti mërgimtarët domethënë deri tash kanë paguar biletat më të shtrenjta në Evropë. I kam shkruar politikanëve, por deri tash asnjë lëvizje”, ka thënë ai.

Më e vështirë ai potencon se bëhet sidomos për familjet të cilat udhëtojnë, ngase iu kushton më shumë.

“Çdo vjet janë këto çmime tepër të shtrenjta, nuk ka të bëj as me inflacion as me luftë në Ukrainë. Gjithmonë 500 euro a 1000 euro biletë kam paguar”, tha Konjusha.

Ai ka shtuar se vendet e rajonit kanë çmime më të ulëta, prandaj shpesh zgjedh ato kur udhëton.

“Për Pavarësi kam ardhur: në Prishtinë 450 euro, ndërsa në Shkup 180 euro kam paguar. Kam shkuar në Shkup atje e mora një veturë me qira, atje më lirë”, ka thënë ai.

Albanian Post ka pyetur disa kompani ajrore për arsyen pse kanë vendosur çmime të tilla, por asnjë prej tyre nuk ka kthyer një përgjigje.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”

Tutje, Albanian Post, ka pyetur Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), për këtë situatë.

Ata kanë thënë se kanë disa përgjegjësi në aspektin ekonomik, por që nuk kanë ndonjë ndikim në çmime të biletave, pasi ato përcaktohen nga kompanitë ajrore dhe jo aeroporti.

“Është e vërtetë qe AAC ka përgjegjësi për rregullimin ekonomik të aeroporteve, por kjo nënkupton rregullimin e tarifave aeronautike që aeroporti vjel nga kompanitë ajrore për shërbimet të cilat i jep. D.m.th AAC rregullon çmimin e tarifës së aterimit të aeroplanit, tarifën e parkimit të aeroplanit dhe jo tarifën (çmimin e biletës) që kompania ajrore vjel nga udhëtari për transportin ajror që ia ofron”, kanë thënë ata.

Nga AAC-ja, kanë theksuar se kompanitë ajrore kanë lirinë të përcaktojnë çmimet e biletave në bazë të konkurrencës në treg dhe në Bashkimin Evropian, e as në Kosovë nuk përcaktohen nga shteti.

Ndërkaq, nga Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës, kanë thënë se ata veprojnë kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg.

Për Albanian Post, ata treguan se nuk kanë mandat që të rregullojnë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi.

Por, përmendën Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), të cilët thanë se e bëjnë rregullimin ekonomik.

“AAC-ja është përgjegjëse për rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror në Republikën e Kosovës, pra e bëjnë rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror”, kanë thënë ata për Albanian Post.

Tutje, theksuan se “në Kosovë është vetëm një aeroport dhe është monopol, ndërsa pjesa e shitjes se biletave si treg është i liberalizuar, ku operojnë kompani të ndryshme, si lokale dhe ndërkombëtare dhe ka presion konkurrues ndërmjet tyre”.

Sipas ACC-së, “arsyeja pse ka çmime më të lira në rajon është e lidhur me politikat dhe legjislacionin për sektorin e aviacionit civil, të vendeve në rajon”.

Ata treguan se e kanë analizuar nëse ka abuzim nga ana e kompanive të cilat ofrojnë shërbime ajrore.

“Që nga monitorimet ad hoc, mund të vërejmë se ka çmime më të larta se nga vendet e rajonit (Shkup apo Tirana), por ka dallime në çmime tek ofruesit e biletave, varësisht nga operatori dhe nga koha e prenotimit të biletave”, potencuan për AP.

Ndërkaq, ekonomisti Valon Prestreshi, ka treguar se njëri ndër faktorët pse biletat e fluturimit kushtojnë shtrenjtë janë tarifat e përcaktuara ndaj të gjitha aviokompanive nga Aeroporti i Prishtinës.

Si arsye tjetër theksoi edhe “konkurrencën e aeroporteve tjera, qasjen e shtetit dhe stimulimet e ndryshme”.

“Sipas informatave qe posedojmë, aeroporti i Shkupit, është subvencionuar nga qeveria e Maqedonisë. Por, kemi informata se ky lloj subvencionimi ndaj aeroportit mund të jetë në kundërshtim me parimet e ekonomisë së lirë të Bashkimit Evropian, por edhe ndaj shtetit përkatës. Në shumicën e rasteve këto lloj subvencionime nuk e kalojnë filtrin e komisionit për ndihma shtetërore dhe Autoriteteve të Konkurrencës”, ka thënë ekonomisti.

Më tej, ai theksoi se s’i funksionon kjo çështje në rajon.

“Çmimet e larta mund të jenë në aeroportin tonë sepse aeroportet e rajonit, kanë gjetur mënyra më efektive dhe efikase të menaxhimit të kostove e rrjedhimit duke ofruar kushte më të favorshme për aviokompani të ndryshme”, tha ai.

Ndërsa, zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Valentina Gara, për çmimet e  shërbimeve ajrore ka pasur vetëm një përgjigje.

“Siç e dini aeroportet ofrojnë vetëm shërbime për kompanitë ajrore dhe udhëtarët. Prandaj, pyetjet tuaja ju lusim t’i adresoni te autoritetet relevante”, ka thënë Gara për Albanian Post.

AP ka provuar të marr një përgjigje edhe në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, por deri në publikimin e këtij artikulli ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, për një javë që nga liberalizimi i vizave për Kosovën, në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë ishin realizuar mbi 83 mijë udhëtime vajtje-ardhje.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore