Lajme

Vala e grabitjeve të bankave në Gaza, hajdutët janë dërguar nga Hamasi


Në mes të luftës në Gaza, dikush përfiton nga situata për të grabitur.

Duket e pabesueshme që, mes bombardimeve nga qielli, tankeve në veprim dhe terroristëve palestinezë të fshehur në tunele me pengje izraelite, grabitësit mund të veprojnë të patrazuar dhe të zbrazin arkat e Bankës së Palestinës, institucionit më të madh të kreditit në Gaza.

Por bandat e armatosura që hyjnë në kasaforta dhe bankomate nuk janë thjesht kriminelë: janë kryesisht të lidhur me Hamasin.

Dhe paratë e vjedhura përdoren nga xhihadistët për të financuar konfliktin kundër Izraelit.

Financial Times ka cituar burime të shtetit palestinez dhe hebre, që zbulon valën e grabitjeve që goditën bankat në Gaza.

Gazeta financiare britanike vlerëson se në tetë muaj luftë është vjedhur një e treta e parave të depozituara në bankat e Rripit të Gazës.

Grabitjet më të mëdha ndodhën më 17 dhe 18 prill: në të parën, hajdutët hodhën në erë betonin në të cilin banka kishte varrosur kasafortën e saj, duke marrë 31 milionë dollarë në monedha të ndryshme.

Një dëshmitar ka treguar se ai pa kartëmonedha që fluturonin në ajër pas shpërthimit.

Të nesërmen, banka paralajmëroi klientët që të shkonin urgjentisht në një degë tjetër për të tërhequr depozitat e tyre para se të vidheshin.

Por kur ata hapën dyert, punonjësit gjetën grupe të tjera të armatosura brenda. Një shkëmbim zjarri pasoi, duke përfunduar me një vjedhje të dytë që përfshinte 36 milionë dollarë para.

Në një dokument të brendshëm, Banka e Palestinës flet për shuma të mëdha parash “të konfiskuara me urdhër të autoritetit më të lartë në Gaza”: një referencë e qartë për Hamasin, i cili ka qeverisur Rripin e Gazës që nga viti 2006.

Grabitjet e mes-prillit do t’i kishin paraprirë veprimeve të tjera të të njëjtit lloj në përmasa më të vogla, duke hapur me trap kasafortat e vogla të ATM-ve të shpërndara përgjatë territorit autonom palestinez.

Para luftës, kishte më shumë se 90 ATM dhe 56 degë të Bankës Palestineze në Gaza: tani ato pothuajse të gjitha janë dëmtuar ose shkatërruar.

Për më tepër, Hamasi ka grabitur bankat palestineze ndërsa jeta në Rripin e Gazës është gjithnjë e më e shtrenjtë si rezultat i katastrofës humanitare të shkaktuar nga konflikti.

Për të marrë leje për të emigruar në Egjipt, të zhvendosurit nga Rripi i Gazës duhet të paguajnë një “taksë”, në fakt një ryshfet, të barabartë me 5 mijë dollarë për person.

Çmimi i çdo ushqimi është rritur shumë. Dhe paratë janë bërë pothuajse të padisponueshme në monedhën vendase.

Pra, duhet të paguash një ryshfet vetëm për t’u rreshtuar para një prej pak ATM-ve që janë ende në funksion.

Me rrezikun, kur të arrish atje, të mos mbledhësh asgjë sepse është zbrazur nga hajdutët.

Kjo mund të kontribuojë gjithashtu në rënien e mbështetjes për grupin xhihadist midis 2 milionë banorëve të Gazës, raportuar së fundmi në një sondazh.

Jo vetëm që Hamasi, duke u fshehur mes civilëve palestinezë, i ekspozon ata qëllimisht ndaj rrezikut për t’u bërë viktima të sulmeve izraelite, por edhe duke përfituar nga kaosi i sjellë nga lufta, i grabit edhe kursimet e tyre.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore