Shqipëria

Eksportet bien në maj


Eksportet në Shqipëri kanë pësuar rënie gjatë muajit maj, duke ndalur një ecuri pozitive që ka pasur më herët gjatë prillit.

Sipas të dhënave të INSTAT, në Maj 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 miliardë lekë, duke u ulur me -12,4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në Prill 2024 eksportet e mallrave ishin rritur për herë të parë pas shumë muajsh me 1,8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në mars eksportet ishin tkurrur me 21%, në shkurt me -16.1% dhe në janar me 29.2%.

Gjatë muajit Maj 2024, në uljen e eksporteve prej -12,4%, negativisht kanë ndikuar disa grupe, ndër të cilat: “Tekstile dhe këpucë” me -7,6 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me -2,7 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,7 pikë përqindje, etj. Pozitivisht ka ndikuar grupi: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +0,4 pikë përqindje.

Për pesë mujorin eksportet kanë shënuar një tkurrje të fortë. Sipas INSTAT, në këtë pesër-mujor eksportet e mallrave arritën vlerën 165 miliardë lekë, duke u ulur me -16,1%.

Grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -6,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -5,6 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,4 pikë përqindje, etj.

Kjo gjë ka çuar më tej edhe në rritjen e deficitit tregtar.

Importet e mallrave arritën vlerën 79 miliardë lekë, duke u ulur me -1,6%, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 5,3%, në krahasim me Prill 2024. Deficiti tregtar i këtij muaji është 45 miliardë lekë, duke u rritur me 8,9%, krahasuar me Maj 2023 dhe 9,4%, në krahasim me Prill 2024.

Në këtë pesë-mujor eksportet e mallrave arritën vlerën 165 miliardë lekë, duke u ulur me -16,1%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 364 miliardë lekë, duke u ulur me -0,02 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 199 miliardë lekë, duke u rritur me 18,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

Megjithatë, përtej rënies, eksportet me Kosovën janë rritur. Rritje ka pasur edhe sa i takon eksporteve drejt Maqedonisë së Veriut, dhe një rritje e madhe për eksportet ndaj Kinës.

Rënie ndërkohë kanë paraqitur eksportet drejt Italisë, Gjermanisë dhe Greqisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore