Stil

Historia e veçantë e pilotit shqiptar në Alaskë


Piloti Nexhat Tifeki

Shumë pak besuan që ai mund ta realizonte ëndrrën e tij të fëmijërisë.

Ndonëse rrethanat e kohës ia vështirësuan rrugëtimin, Nexhat Tifeki nuk hoqi dorë asnjëherë.

Ai është nga Shkupi dhe ka 24 vjet që është i angazhuar si pilot në Alaskë.

Në një bisedë për Albanian Post, ai ka rrëfyer dëshirën e zjarrtë për të drejtuar mjetin fluturues, pastaj tentativat e vazhdueshme për këtë synim, po ashtu edhe disa nga ngjarjet e 15 mijë orë fluturimesh që i ka pasur.

Si fëmijë, atij, aeroplani i dukej si diçka shumë interesante.

Tifeki, tregoi se i shikonte filmat me aeroplan, por edhe thotë se i bënin përshtypje sa herë fluturonin në qiell.

Ndonëse vendi ku ai jetonte ishte në komunizëm, dëshira e tij, për t’u bërë pilot ishte shumë e fortë, pavarësisht situatës ai kishte bërë disa përpjekje.

“Ka ekzistuar ushtria nacionale ku merrnin kadetë në shkollë fillore ato i shpërndanin disa formularë për me u bë pjesëtarë dhe unë atëherë si 14 vjeçar e pata mbush formularin edhe e pata zgjedh me u bë pilot”, ka thënë ai.

Por, gjithçka mbeti veç në atë letër, pa ndonjë rezultat.

“Prindërit duhet ta nënshkruanin formularin, e kisha rezultatin e mirë, isha nxënës i mirë mirëpo ato prindërit e kishin ditë se nuk është situata e mirë se luftë, demonstratë, anarki e madhe dhe kjo ëndërr nuk u realizua nëpërmjet ushtrisë”, tha Tifeki.

Piloti theksoi se në atë periudhë, shkaku rrethanave, njerëzit e shihnin si një ëndërr që nuk mund të realizohet kurrë dhe e merrnin me shaka.

Më tej, Tifeki shkoi në Zvicër, ku takoi një pilot dhe që nga aty jeta e tij mori një kthesë tjetër.

“U takova me një djalë ai më tregoi se e ka marr licencën e pilotit privat dhe u njoftova më shumë për këtë çështje. Takimi me atë person vetëm e riaktivizoi idenë time, ajo drita u ndez”, shtoi ai.

Kur pyetet për fluturimin e parë si pilot, ai e ka të vështirë të gjejë fjalët për ta përshkruar këtë aventurë.

“Më kujtohet fantazi është e papërshkrueshme adrenalina ishte maksimale është diçka nuk ka përshkrim, po më rrëqethet trupi kur po flas për këtë. Ia arrita, ia dola këto mendime i kisha”, potencoi ai për AP.

Ai ka treguar se si ndjehet kur është mbi qiell me mjetin fluturues.

“Kur jam atje lart e ndiej veten shumë më afër Zotit, shumë më afër qiellit. Për mua është liri shpirtërore është si frymëzim shpirtëror, relaksim shpirtëror”, shtoi ai.

Si përvojë të veçantë ai ka ndarë edhe udhëtimin me aeroplan nëpër Kosovë, Shqipëri e Shkup.

“Jam ndier më ndryshe, jam ndier krenar”, deklaroi Tifeki.

Nga atje lart, ai thotë se është një botë krejtësisht tjetër.

Ai ka veçuar si pamje të rralla e të veçanta malet, alpet, perëndimin, lindjen e diellit, akullnajat, pastaj gjelbërimin në vendet e ndryshme që ka kaluar si në Islandë, Kroaci, e Zvicër.

“Të fluturosh mbi Vegas natën dritat janë të hatashme interesante. Ndodhin fenomene të ndryshme Elmo’s fire zjarri i Elmos, ku ndodh elektriciteti në atë dritare në aeroplan, është një botë krejtësisht tjetër”, ka shtuar ai.

Foto: Las Vegas

Në punën e tij, si pilot, Tifeki ka pasur edhe ngjarje të vështira.

“Kam shumë histori, kam pasur aksidente, kam pas gjëra ku motorët janë prishur, kur kam dal prej pistës shembull më ka ndodhur kur ka qenë akull shumë i madh aeroplani ka dal prej pistës, po nuk jam lënduar për fat të mirë deri tash s’kam pasur ndonjë aksident shumë të madh”, theksoi ai.

 

Foto: Fenomeni Aurora

Për arritjet e tij, ai është shprehur se i është mirënjohës Zotit, Nehatit, shokut të tij, bashkëshortes dhe tërë familjes.

Shumë gjëra i ka mbajtur për vete për një arsye dhe tregoi se brenda tij kishte besuar gjithmonë në ëndrrën e tij.

“Shumë gjëra i kam mbajtur në fshehtësi se nuk të kanë kuptuar njerëzit. Tash ka sfida ka mundime mirëpo më mirë është me i thënë njeriut bëhet se nuk bëhet mirëpo neve na pëlqen të ia thyejmë dikujt idenë, na pëlqen më shumë se sa ta motivojmë dikë”, ka potencuar për AP.

Ai ka tentuar të bllokojë energjinë negative dhe t’i mbaj larg vetes këta persona.

Mesazhi i tij për të rinjtë është që pavarësisht që gjërat nuk bëhen ndoshta në kohën që ata duan, pra mund të vonohen, thotë se çdo gjë arrihet kur qëllimi është i pastër.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore