Kosova

Rashiç: Jam i gatshëm të kontribuoj në hartimin e statutit të Asociacionit


Nenad Rashiç

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, në një intervistë për agjencinë kosovare të lajmeve “Kosova Press” të hënën, shprehu gatishmërinë që të përfshihet në hartimin e një statuti për Asociacionit e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Unë në çdo moment jam i gatshëm të jap kontributin në këtë aspekt”, theksoi ministri Rashiç, derisa e konsideroi “çështje të rëndësishme” themelimin e këtij mekanizmi për komunitetin serb në Kosovë, duke shtuar se kosovarët nuk duhet të kenë frikë nga “bosnjëzimi” i Kosovës.

Në vjeshtë, vitin e kaluar, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE), Mirosllav Lajçak, prezantoi para liderëve në Prishtinë e Beograd një draftstatut “modern dhe evropian” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ky draftstatut, në bazë të deklaratave të zyrtarëve evropianë, merr parasysh “vijat e kuqe” të përcaktuara nga ligji kushtetues i Kosovës.

Megjithatë, ministri Rashiç konsideroi se në draftstatutin e propozuar nga ndërkombëtarët për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ekzistojnë disa paqartësi, porse nuk bëhet fjalë për “bosnjëzimin” e Kosovës. Ai shtoi mes tjerash se Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të japë fjalën e fundit.

“Ne kemi profesionistë të cilët e vërtetojnë saktë a është në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Unë personalisht do të përpiqem të inkorporoj – ndoshta – disa ide të mira, por, përndryshe, unë nuk kam aspak frikë se mund të ndodhë bosnjëzimi i Kosovës”, u shpreh ministri Rashiç.

Ndryshe, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe konsiderohet obligim i pazbatuar, i cili buron nga marrëveshja e vitit 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo është marrëveshja e vetme e dialogut që është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat e votave dhe ka fuqinë ligjore të një marrëveshjeje ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore