Duka për kandidaturën e përbashkët me Serbinë: Është interes kombëtar – i shërben edhe njohjes së Kosovës
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, kandidaturën e përbashkët me Serbinë për organizimin e “Euro 2027” për futbollistët deri në 21 vjet e ka quajtur “interes kombëtar” dhe “interes të Kosovës”.
“Dëshira jonë e madhe, por edhe interesi kombëtar, ka qenë të rrisim nivelin e kompeticioneve, ndaj kërkuam që të organizonim finalet e Kampionatit Evropian të vitit 2027, për djem nën 21 vjeç, çka përbën edhe arritjen më të madhe për mundësitë tona aktuale. Ne aplikuam si konkurrentë më vete, brenda afatit të përcaktuar nga UEFA”, tha Duka në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së.
“Aplikuan gjithashtu edhe Belgjika, Turqia dhe Serbia. Shanset për të fituar të vetëm ishin të pakta si për ne ashtu edhe për Serbinë, për arsye të stadiumeve akoma të papërfunduara”, shtoi.
Tutje, ai ka theksuar se “do të donim shumë që të kishim edhe zgjidhje të tjera, por Kosova, Maqedonia e vende të tjera fqinje as nuk i plotësojnë kriteret e infrastrukturës, por as nuk kishin aplikuar brenda kohës së vendosur”.
“Kjo, i shërben edhe çështjes së njohjes së Kosovës. Ky është një mesazh evropian, që na bën edhe më shumë evropianë, siç aspirojmë të jemi. Një mesazh që vlen dhe nuk mund të zbehet nga “mjaullimat” e demagogëve të veshur me kostumin e ‘pseudopatriotit’, që s’lënë rast pa shfaqur ‘protagonizmin mjeran’ nëpër blogje e komente fyese”.
Duka ka potencuar se qëndrimi i tij për Kosovën qenë i pandryshueshëm nga dita e parë dhe përgjatë gjithë periudhës që drejtoj FSHF-në, duke shtuar se “kam bërë maksimumin për ta mbështetur futbollin kosovar dhe Federatën e Kosovës, me veprime e projekte konkrete, kur ajo nuk ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s”.
“Kam lobuar fuqishëm për njohjen e saj, në të dyja institucionet ndërkombëtare FIFA dhe UEFA, deri në pranimin me të drejta të plota. I kam qëndruar pranë, dhe do të vazhdoj ta bëj, në çdo hap që ata hedhin drejt përparimit e suksesit dhe ju garantoj se marrëdhëniet janë më shumë se vëllazërore. Marrëdhënie që i kam patur të tilla me Sabri Hashanin, me të paharruarin mik Fadil Vokrri dhe vazhdoj t’i ruaj me Presidentin Ademi, i cili ndjehet si në ‘shtëpi të vet’ në FSHF”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com