Lajme

SHBA dhe Kina do të zhvillojnë bisedimet e para për të reduktuar rrezikun e ‘llogaritjes së gabuar’ të AI


Zyrtarët kinezë dhe amerikanë do të zhvillojnë të martën takimin e parë në një dialog mbi inteligjencën artificiale për të cilën presidentët Joe Biden dhe Xi Jinping ranë dakord në një samit në San Francisko vitin e kaluar.

Zyrtarët amerikanë thanë se të dy palët do të takohen në Gjenevë pas diskutimeve të mëparshme mbi këtë çështje, duke përfshirë midis këshilltarit të sigurisë kombëtare të SHBA-ve, Jake Sullivan dhe ministrit të jashtëm kinez, Wang Yi.

“Qasja jonë ndaj Kinës mbetet e përqendruar në ‘investoni, rreshtoni dhe konkurroni’, por ne gjithashtu besojmë se konkurrenca intensive kërkon diplomaci intensive për të zvogëluar rrezikun e llogaritjes së gabuar dhe konfliktit të paqëllimshëm. Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e AI”, tha një zyrtar amerikan.

Një zyrtar i dytë amerikan tha se administrata Biden e njeh “potencialin transformues” të AI, por ishte i vetëdijshëm për “domosdoshmërinë e arritjes së një ekuilibri midis menaxhimit të rrezikut dhe shfrytëzimit të mundësive të ofruara nga AI i avancuar”.

Ai tha se takimi do të fokusohej në rrezikun dhe sigurinë me një theks në sistemet e avancuara të AI, por nuk ishte krijuar për të dhënë rezultate.

Zyrtari tha se SHBA do të përshkruajë qëndrimin e saj për trajtimin e rreziqeve të AI, do të shpjegojë qasjen e saj mbi normat dhe parimet e sigurisë së AI, përveç mbajtjes së diskutimeve mbi rolin e qeverisjes ndërkombëtare.

Por ai tha se SHBA do të shprehë gjithashtu shqetësimin për aktivitetin kinez të AI që kërcënonte sigurinë kombëtare amerikane.

Zyrtari tha se Kina e kishte bërë zhvillimin e inteligjencës artificiale një prioritet “të madh” dhe po vendoste me shpejtësi aftësi në zonat civile dhe ushtarake që në shumë raste “ne besojmë se minon sigurinë kombëtare të SHBA dhe aleatëve”.

“Përveç rreziqeve të sigurisë kombëtare, ne besojmë gjithashtu se ka rreziqe globale që vijnë nga përparimet e shpejta në AI, për të cilat ia vlen të shkëmbejnë pikëpamjet e SHBA-së dhe Kinës”, shtoi ai.

Dialogu i AI është një nga rezultatet e samitit në San Francisko në nëntor. Në përputhje me marrëveshjet e arritura, ushtritë amerikane dhe kineze kanë rihapur kanalet e komunikimit që Kina i kishte ndërprerë pasi kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi vizitoi Tajvanin në gusht 2022.

SHBA dhe Kina kanë krijuar gjithashtu një grup pune për të adresuar dërgesën e përbërësve për fentanil nga Kina në Meksikë, ku kartelet e drogës përdorin kimikatet për të prodhuar opioidin sintetik vdekjeprurës.

Ndërsa marrëveshjet e arritura në San Francisko kanë ndihmuar në stabilizimin e marrëdhënieve midis fuqive, tensionet mbeten të larta për një sërë çështjesh, duke përfshirë aktivitetin agresiv ushtarak kinez rreth Tajvanit dhe afër Filipineve.

Gjithashtu dhe përpjekjet e SHBA-ve për të ndaluar grupet kineze që të marrin teknologji të avancuar amerikane, duke përfshirë çipat për AI dhe veglat e makinerive të nevojshme për të ndërtuar çipat e fuqishëm për aplikacionet e AI.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të martën pritet gjithashtu të njoftojnë se do të katërfishojnë tarifën për importet e automjeteve elektrike nga Kina.

Javën e kaluar, departamenti i tregtisë amerikane shtoi disa dhjetëra grupe kineze në “listën e entiteteve”, gjë që e bën të vështirë për kompanitë amerikane eksportimin e teknologjisë në entitetet e synuara.

Marrë nga Financial Times, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore