Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka hapur një llogari në platformën TikTok, duke premtuar se nuk do të shihet duke kërcyer.
Kanali më i ri zyrtar i qeverisë “rrit ofertën e informacionit për qytetarët, të cilët gjithnjë e më shumë informohen dhe diskutojnë politikën në TikTok”, ka deklaruar zëdhënësi i Scholz, Steffen Hebestreit.
Sipas tij, llogaria do të ofrojë “një vështrim prapa skenave të jetës së përditshme të qeverisë”.
“Unë nuk do të kërcej. E premtoj”, ka thënë ndërkohë Scholz në një postim në rrjetin X.
Ndërkaq, videoja e tij e parë në TikTok shfaq një turne në zyrën e kancelarit përpara se ta tregonte Scholz-in në tryezën e tij.
Kështu Scholz bëhet lideri i fundit perëndimor që i bashkohet platformës së mediave sociale në pronësi kineze.
Kjo pavarësisht shqetësimeve të përhapura të sigurisë dhe shqetësimeve për dezinformimin.
Presidenti amerikan Joe Biden hapi një llogari në shkurt, në kohën e zgjedhjeve presidenciale të këtij viti në SHBA, në një përpjekje për të arritur te votuesit më të rinj.
Prania e Biden në kanal, megjithatë, nuk e pengoi atë të ngrejë shqetësime për pronësinë e platformës me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, gjatë një telefonate këtë muaj.
Hebestreit ka thënë se hapja “rastësore” e llogarisë erdhi disa ditë përpara vizitës së Scholz në Kinë këtë fundjavë.
Ai ka thënë gjithashtu se zyra e Scholz kishte marrë kohë për të vlerësuar platformën përpara se të regjistrohej.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com