Ambasadori britanik e Rashiç flasin për sigurimin e të drejtave për të gjitha komunitetet në Kosovë
Jonathan Hargreaves, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, është takuar këtë të mërkure me Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, me të cilin kanë biseduar për sigurimin e të drejtave të komuniteteve në Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur nga Hargreaves, përmes një postimi në Facebook.
“MB dëshiron të punojë më shumë me Kosovën për të siguruar që të drejtat e të gjitha komuniteteve të respektohen në mënyrë të barabartë”, shkroi diplomati britanik.
Në këtë kontekst ai theksoi se ka takuar edhe Rashiç-in, pra për të diskutuar mundësitë për ta bërë këtë, si dhe sfidat me të cilat po përballet Ministria për Komunitete dhe Kthim.
Ndryshe, Hargreaves e kishte mirëpritur vendimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në mbledhjen e 193-të të ekzekutivit njoftoi se ka urdhëruar Agjencionin Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
Këto komente, Hargreaves i kishte bërë përmes një postimi në platformën X, ku kishte theksuar se një akt i tillë dëshmon guxim politik.
“E mirëpres vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, i cili dëshmon guximin politik dhe përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit”, shkroi diplomati britanik.
Ambasadori britanik: E mirëpres vendimin për Manastirin e Deçanit, dëshmon guxim politik
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com