Gjykata Speciale

Julius von Bone, emërohet avokat kryesor i Salih Mustafës


Julius von Bone.

Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se Julius von Bone është emëruar avokat kryesor i ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Lajmin e ka bërë të ditur DhSK-ja përmes një komunikate për media.

“Më 20 shkurt 2024, sekretari i DhSK-së i ndërpreu shërbimet e avokatit në detyrë dhe caktoi Julius von Bone, si avokat kryesor për Salih Mustafën, i cili tashmë ishte përfaqësuar prej tij gjatë fazave të gjykimit dhe ankesës”, thuhet në njoftimin e DhSK-së

Në muajin dhjetor të 2023-ës, nga 26 në 22 vjet burgim i ishte zvogëluar dënimi nga Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuar të Kosovës, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i dënuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Më 3 prill të vitit 2023 në Hagë kishte nisur gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit si të akuzuar për krime lufte.

Këto krime të pretenduara janë përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është ish-senatori zviceran, Dick Marty.

Por, ish-udhëheqësit e UÇK-së, kanë deklaruar se ndihen krejtësisht të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së konfirmuar ndaj tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore