Film

Mes dashurisë dhe emigrimit, regjisori shqiptar që shpërfaq betejat e kombit


Erenik Beqiri – me filmat me metrazh të shkurtër të përqendruar te varfëria, emigracioni dhe dashuria – ka ndihmuar në tërheqjen e vëmendjes globale në industrinë e filmit shqiptar.

Ai ka zgjedhur të tregojë një histori në zemër të defekteve sociale dhe ekonomike të vendit.

“Nuk është çdo ditë mundësia për të bërë një film”, ka thënë ai.

“Kur e bëni këtë, duhet të përcillni diçka që ka një ndikim të thellë në jetën tuaj dhe në jetën e të tjerëve. Emigrimi është një prej tyre”.

Paçka se Beqiri jeton në Shqipëri, mërgimi mbetet gjithmonë i pranishëm në jetën e tij.

“Ka, sigurisht, emocione dhe ndjenja që janë shumë të miat. Gjithçka që kam ndjerë, por edhe vëzhguar përreth meje – nga jeta e përditshme e miqve të mi, familjes sime, njerëzve mes të cilëve jetoj”.

Që nga rënia e qeverisë brutale komuniste, Shqipëria është transformuar rrënjësisht nga emigrimi.

Sipas shifrave zyrtare, të paktën 1.68 milionë shqiptarë, ose 37 për qind e popullsisë, u larguan nga vendi midis viteve 1990 dhe 2020.

Kjo ka lënë zona të fshatit të braktisura, ndërsa miliarda euro në remitanca ndezën një bum pronash që ka parë blloqet e apartamenteve të mbushin brigjet dikur të pacenuara.

Fenomeni është tashmë një gur themeli i jetës për shumë shqiptarë, qofshin ata pronarë biznesesh, punëtorë jashtë shtetit apo regjisorë.

“A Short Trip”, i cili fitoi çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në Festivalin e Filmit të Venecias sivjet, tregon historinë e Mirës dhe Klodit, një çift i ri shqiptar që udhëtojnë drejt Francës me shpresën për t’i gjetur Mirës një burrë që ajo të marrë nënshtetësinë franceze.

Filmi ka të bëjë më shumë se emigracionin, sipas tij.

“Bëhet fjalë për dashurinë mes këtyre dy të rinjve dhe sakrificat që duhet të bëjnë në kërkim të një të ardhmeje më të mirë”.

Në sytë e Beqirit, historia filloi si një skicë që përfshin një çift që ëndërronte për një jetë më të mirë, përpara se të evoluonte në një fotografi të jetës së transformuar nga realitetet e hidhura të migrimit me të cilat përballen shumë shqiptarë kur përpiqen të largohen jashtë vendit.

I lindur nga prindër artistë, Beqiri kishte dëshiruar të bëhej regjisor që në fëmijëri, kur përpiqej të merrte në duart e tij DVD me filma që nuk shfaqeshin në ato pak kinema të Tiranës.

Filmi i tij i parë i shkurtër, “The Van”, i publikuar në vitin 2019, ndjek Benin, një punëtor të ri shqiptar që kërkon të fitojë para të shpejta për të paguar një kontrabandist dhe për t’u larguar nga vendi.

Për të financuar udhëtimin e tij, ai lufton me burra të tjerë për para në pjesën e pasme të një furgoni, në një përrallë mavijosjeje të varfërisë, ambicjes dhe dhunës.

Filmi u bë prodhimi i parë shqiptar i përzgjedhur për konkursin zyrtar në Festivalin e Filmit në Kanë.

“Të dy filmat e mi kanë të bëjnë me emigrimin. Por çështja e vërtetë janë marrëdhëniet mes personazheve”, ka treguar Beqiri.

“Filmi funksionon kur personazhet janë gjallë, kur kalojnë emocione të forta”.

Për producentin e tij francez, Olivier Berlemont, kinemaja e Erenikut është “e shënuar nga guximi narrativ dhe pamor, një stil unik që me siguri do të afirmohet edhe më shumë në të ardhmen”.

Por për regjisorin, suksesi i tij është rezultat i një përpjekjeje të palodhshme ekipore nga ekipet e tij të prodhimit.

“Suksesi i një filmi nuk është kurrë vepër e një personi të vetëm, është gjithmonë fryt i një përpjekjeje kolektive”, ka thënë ai.

“Është e vërtetë që çmimet hapin rrugën drejt suksesit, por pasi të ketë mbaruar, ju pyesni veten: Çfarë do të bëj më pas? Filmi është tashmë në të kaluarën, kështu që ju duhet të mendoni se çfarë do të bëni nesër”.

Kurse për projektin e tij të radhës, regjisori ka hënë vetëm: “Unë thjesht dua të bëj filmin më të mirë”.

​Marrë nga “AFP”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore