Për herë të dytë brenda vitit Instituti i Mjekësor Ligjor (IML), është përfshirë nga zjarri, institucion ky në të cilin mbahen prova të rëndësishme për vdekjet e dyshimta në Kosovë.
Hetimet për këtë rast nisën qysh nga e marta e 23 nëntorit, atëherë edhe kur instituti u përfshi nga zjarri, por që organet e hetuesisë akoma nuk kanë konfirmuar shkaqet e zjarrit në të dyja rastet e ndodhur brenda vitit.
“Ju njoftojmë se aktualisht ndaj këtij rasti po vazhdon ndërmarrja e veprimeve hetimore në koordinim me institucionet relevante, andaj në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera”, ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj për Albanian Post.
Në anën tjetër, nga policia kanë refuzuar të komentojnë.
“Lidhur me kërkesën tuaj mund t’i adresoheni autoritetit kompetent, vetë IML-së dhe ekspertëve të zjarrit”, kanë thënë nga Policia e Kosovës për AP.
“Instituti rrezikon të mos akreditohet”
Përveç dëmeve materiale që shkaktoi zjarri, ai dëmton edhe procedurën e akreditimit të këtij instituti.
Ish këshilltar i ministrit të Drejtësisë, Naim Ramizi, në një bisedë për Albanian Post sqaron se procesi i akredimit në këtë institut herën e parë ishte shtyrë për shkak të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, aktivistit politik që vdiq në burg.
“Vitin e kaluar në fund të dhjetorit, ka pasur të akreditohet instituti i toksologjisë, si pasojë e zhdukjes së mostrave është shtyrë për një vit. Pas kësaj, ky institut kishte aplikuar në disa departamente për t’u akredituar dhe kanë pasur ta marrin në fund të vitit 2023 ose në fillim të vitit 2024”.
Ai paralajmëron se akreditimi rrezikon sërish të shtyhet për shkak të kaplimit të zjarrit që ndodhi të martën në këtë institucion.
“Akoma nuk është marrë ndonjë vendim, por zjarri i djeshëm do ta pezullojë vendimin për akreditimin e këtij instituti. Duke e marrë parasysh se vendi ku ruhen të gjitha burimet ka një pasiguri kaq të madhe, assesi nuk mund të vijmë tek akreditimi”, thotë Ramizi për Albanian Post.
Pas deklaratës së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila fajësoi energjinë elektrike për shkaktimin e zjarrit, sipas Ramizit një gjë e tille nuk është e mundur të ndodh.
“Zjarri po shfaqet kryesisht në orët e hershme të mëngjesit, nga hetimet po del të jetë defekti i rrymës, por rryma nuk do të kishte zgjedhur gjithmonë kohën e mëngjesit. Jam duke dyshuar se e kemi një faktor tjetër që po e shkakton zjarrin, por për fatin e mirë as herën e parë dhe as të dytën, s’kemi pasur jetë të humbura, por të rrezikuara”.
Ai thekson se pasiguria në këtë institucion nuk guxon të mungojë pasi është lidhje që afekton shumë faktorë.
“Elementi i sigurisë në këtë institut le për të dëshiruar. Kjo nuk guxon të na ndodh neve, pasi që ky institut është hallkë kryesore. Nuk jemi të vetëdijshëm sa i rëndësishëm është ky institut, është hallka kryesore e funksionimit të sigurisë në vend”.
“Në rast se siguria e këtij instituti bie, jeta e gjithësecilit është pak e rrezikuar, pasi që vrasja, aksidenti, vdekjet, dhunimet, ruhen aty për ta zbardhur një të vërtetë. Burimi i provave qëndron në atë institut”.
“Tri probleme në pjesën e hetimeve”
Janë tri probleme që janë duke e shoqëruar këtë hetim, thotë eksperti i sigurisë Bedri Elezi, në një përgjigje për Albanian Post.
Ai vlerëson se pesha e këtij institucioni për drejtësi është jashtëzakonisht e madhe.
“Veprimi që ndodhi është me të vërtetë shumë shqetësues për shumë arsye. E para për shkak se akoma nuk ka asnjë pistë të hetimeve se çfarë mund të ketë ndodhur në çështjen e zjarrit, e dyta se akoma nuk dihet se çfarë mbetje mortore apo prova kanë qenë të vendosura në atë dhe e treta se ka një paqartësi rreth deklarimeve të institucionit në fjalë”.
Si ekspert i sigurisë, ai konsideron se të gjitha hetimet e deritashme thonë se “zjarri është i qëllimshëm”.
“Ajo që dihet është që në këto rrethana nuk ka një sinjal pozitiv që zjarri nuk ka të bëjë me diçka të qëllimshëm apo është një aksident. Por, të gjitha dyshimet na dërgojnë në drejtim të asaj që ky zjarr është i qëllimshëm për humbjen e provave të ndonjë rasti që konsiderohet më specifikë”, deklaron Elezi për Albanian Post.
“Edhe në këtë rast duket që një dorë e caktuar është e orientuar për të zhvilluar aktivitete të cilat për qëllim kanë minimin e demokracisë dhe minimin e zbatimit të ligjit”.
Albanian Post ka provuar të marrë ndonjë zyrtar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, por që deri në publikimin e këtij artikulli s’ka pranuar asnjë përgjigje.
Të martën, AP-ja me burime brenda Institutit ka kuptuar se zyrat që janë djegur nga flakët janë ato të ish-drejtorit Arsim Gerxhaliu dhe zëvendës-drejtorit aktual Ditor Halitit.
Këto dy zyra përbëjnë edhe dy dhomat kryesore brenda institutit.
Në IML, ruhen provat e vdekjeve të dyshimta, vrasjeve dhe rasteve që janë nën hetim.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të mërkurën deklaroi se informacionet e para, tregojnë se zjarri ka ndodhur si pasojë e defekteve në sistemin elektrik, ndonëse një gjë e tillë nuk është e konfirmuar ende.
Në po të njëjtin institut, për një kohë të gjatë u tha se kanë humbur nga dhoma e dëshmive mbetjet e Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje që vdiq në rrethana të dyshimta në burg e për të cilin LVV thoshte se “e ka vrarë pushteti”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë