Ekziston “një probabilitet i madh” i një sulmi tjetër terrorist ndaj Kosovës nga Serbia, pas paralajmërimit të kryeministrit kosovar Albin Kurti se Serbia se po e mobilizon grupin terrorist të ish-nënkryetarit të Listës Srpska – Millan Radoiçiç, i cili i priu grupit terrorist që më 24 shtator në Banjë të Zveçanit e vrau rreshterin Afrim Bunjaku – pas një tentativë të dështuar “për ta aneksuar veriun e Kosovës”.
Dislokimi i sistemeve kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën nga Serbia, për kryetarin i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, tregon që Serbia “nuk është e interesuar për paqe”, derisa kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët dhe të marrë të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim.
“Dislokimi i sistemeve kundërajrore pranë kufirit me Kosovën sigurisht që nuk është shenjë e de-eskalimit. Riorganizimi i terroristëve mund të nënkuptojë vetëm përgatitje për aksionin e radhës terrorist. Prandaj, kur këto të dhëna i shtohen paralajmërimit të Presidentit Zelensky se Moska po punon për de-stabilizimin e Ballkanit, është mjaft e qartë se ekziston një probabilitet i madh për një tentativë tjetër të aktivitetit terrorist në territorin e Kosovës”, tha Çanak në një bisedë për Albainan Post.
Pos Kosovës, sipas Çanak-ut i cili ka qenë deputet i Parlamentit të Serbisë e ish-president i Kuvendi të Vojvodinës ndërmjet viteve 2000-2004, “një vatër e nxehtë” për tensione është edhe Bosnja dhe Hercegovina, teksa e ka përmendur edhe afërsinë e presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska Millorad Dodik me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
“Besoj se në periudhën e ardhshme duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm pasi një pikë tjetër potenciale e nisjes së operacioneve luftarake (Republika Srpska) tashmë po punon hapur në këtë drejtim, siç dëshmohet nga komunikimi i shpeshtë mes Dodikut dhe Putinit. Gjëja më e rëndësishme aktualisht është të frenohen ekstremistët nga të gjitha anët me çdo kusht dhe të mos lejohet që asnjë akt ‘individual’ i dhunës të jetë pretekst për një konflikt të përmasave më të gjera”, shtoi Çanak.
Ndërkaq në këndvështrimin e ish-zëdhënësit të NATO-s në kohën e luftës së Kosovës, Jamie Shea, i cili është edhe profesor i Strategjisë dhe Sigurisë në Bruksel, dislokimi i sistemeve kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën nga Serbia, “nuk ka absolutisht asnjë kuptim”, meqë thotë se Kosova nuk paraqet asnjë kërcënim për Serbinë dhe nuk ka forcë ajrore të saj.
“Kërcënimi kryesor do të ishte për helikopterët e KFOR-it që fluturojnë në hapësirën ajrore të Kosovës, gjë që do ta bënte një dislokim të tillë një akt armiqësor ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është nesër në Beograd dhe mund të shpresojmë të zbulojë saktësisht se çfarë po planifikon Presidenti Vuçiç dhe ta bind atë të mos përshkallëzojë situatën”, potencoi Shea në një përgjigje për Albanain Post.
Ndërsa kur flet për paralajmërimin e presidentit të Ukrainës, Vlodymyr Zelensky se ka informacione se Rusia po planifikon të nis “një luftë në Balllkan”, Shea vuri në pah se “Moska mund të ketë një interes për të nxitur më shumë probleme në Ballkanin Perëndimor për të larguar vëmendjen e NATO-s nga agresioni i saj kundër Ukrainës”.
“Megjithatë, nëse Serbia është serioze për anëtarësimin e saj në BE, ajo duhet të shtypë rrjetet ruse të ndikimit brenda Serbisë dhe çdo formë bashkëpunimi midis Moskës dhe grupeve paraushtarake serbe nëse zbulohen këto lidhje. Nëse këto grupe ekstremiste ilegale nuk shpërbëhen, ekziston jo vetëm një rrezik, por një probabilitet i madh që ata të depërtojnë në Kosovë për të shkaktuar dhunë dhe kaos të mëtejshëm”.
Për mos t’u përsëritur sulmet terroriste dhe për ta siguruar më mirë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, ai insiston që NATO duhet të rris përgjithmonë numrin e ushtarëve në Veri – për ta parandaluar futjen e paraushtarakëve serbë dhe kontrabandës së armëve.
“Pra, përforcimet e KFOR-it të dërguara në Kosovë që nga pranvera duhet të mbeten për momentin. NATO dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojnë presionin ndaj Beogradit për të qenë transparent në lidhje me praninë e grupeve paraushtarake dhe për të treguar bindshëm se i ka çmontuar ato”, potencoi Shea.
Alarmi i Kurtit: Serbia ka dislokuar sistemet kundërajrore në afërsi të kufirit
Më 19 nëntor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia ka dislokuar sisteme kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën, derisa ka paralajmëruar edhe për riorganizimin e grupit terrorist të ish-nënkryetarit të Listës Srpska, Milan Radoiçiç.
Kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se më 10 nëntor, udhëheqësi i grupeve ilegale serbe në Kosovë është takuar me 40 politikanë serbë, ku sipas tij, nga ata është kërkuar mobilizim për të votuar Partinë Përparimtare Serbe (SNS) në zgjedhjet parlamentare që janë planifikuar të mbahen më 17 dhjetor në Serbi.
Gjatë këtij takimi, sipas kryeministrit Kurti, përveç deputetëve të Listës Srpska, kanë marrë pjesë edhe kryetari i këtij subjekti politik, Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviç dhe Dalibor Jevtiç, por edhe Svetllana Milladinov, zëvendëse e ventrikoluistit të propagandës serbe, Petar Petkoviç, drejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë.
“Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës. Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën”, ka shkruar ndër të tjera kryeministri Kurti në Facebook.
“Siguresa” e Stoltenbergut
Pas paralajmërime se Rusia po synon të nxis konflikt në Ballkan, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se po zhvillohen diskutime mbi mundësinë e një rritjeje të përhershme të kontingjentit ushtarak të aleancës në Kosovë.
“Tani po e rishikojmë nëse duhet të kemi një rritje të përhershme të forcave tona në Kosovë dhe Rajon. Kemi histori në këtë pjesë të Evropës që nga vitet e 90-ta, kemi investuar shumë në stabilitet në këtë pjesë. I kemi parandaluar dy luftëra ndëretnike në Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë. Do të bëjmë atë që është e nevojshme për sigurinë në këtë pjesë të Ballkanit”, tha ai gjatë një konferencë për media të hënën.
Ndër të tjera, ai ka shtuar se duhet të mbahen përgjegjës autorët për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, derisa ka theksuar se këtë mesazh do ia përcjell edhe autoriteteve serbe gjatë vizitës së tij në Beograd të martën.
“Pres që autorët të mbahen përgjegjës, ky ka qenë mesazhi im që nga maji dhe është përsëritur edhe pas rastit në muajin shtator. Do ta ngris këtë çështje edhe në Serbi. Duhet të sigurohemi që ky rast të mos përsëritet edhe njëherë”, potencoi Stoltenberg.
Stoltenberg, pas vizitës në Sarajevë, Prishtinë, Beograd dhe Shkup, do të marrë pjesë në një takim të përbashkët me aleatët e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç; Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç dhe Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, pritet të marrin pjesë në këtë takim.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë