Kosova ka arritur që të marrë një pikë në udhëtim ndaj Zvicrës, pas barazimit 1:1 në Basel.
Ky barazim i mundëson Zvicrës që të kualifikohet në kampionatin evropian “Euro2024”, ndërsa Kosova tanimë ka humbur të gjitha gjasat.
Ky rezultat për Dardanët ishte mjaft i madh, pasi që në radhët e tyre nuk kishin lojtarët kryesorë.
Ndeshja nisi me një dominim të Zvicrës të cilët kishin posedimin dhe rastet në anën e tyre.
Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi pa gola.
Helvetikët do të kalonin në epërsi 1:0 në minutën e 47-të, pasi që Ruben Vargas shënoi me kokë nga afërsia, pasi një reagimi jo të duhur nga ana e mbrojtjes së Kosovës.
Nga ana tjetër, Dardanët do të gjenin golin e barazimit në minutën e 82-të.
Muhamet Hyseni do të shënonte një gol të bukur, të barazuar kështu shifrat në 1:1.
Ky gol për Hysenin ishte mjaft emocional, pasi që sulmuesi i Llapit shënoi në ndeshjen e tij debutuese.
Në këtë ndeshje, Kosova është paraqitur pa Amir Rrahmanin, Vedat Muriqin, Milot Rashicën, Arijanet Muriqin e Edon Zhegrovën.
Nga Grupi I, ku bënë pjesë Kosova, tashmë zyrtarisht Rumania dhe Zvicra kanë siguruar biletën e kualifikimit për në Euro 2024.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com