Në vazhdën e luftës Izrael-Gaza, disa prindërve hebrenj u është thënë nga shkollat që të fshijnë mediat sociale nga telefonat e fëmijëve të tyre.
Shqetësimi rëndon mbi videot e mundshme të pengjeve që po shpërndahen, të cilat mund të shkaktojnë shqetësim.
Paralajmërimet po qarkullojnë jo vetëm në Izrael, por edhe në SHBA dhe Mbretëri të Bashkuar.
Ndërkohë, aplikacionet e mediave sociale që veçohen janë TikTok-u dhe Instagram-i, pasi në to janë përhapur në masë pamjet e vrasjes së civilëve.
Një numër shkollash në Tel Aviv u kanë komunikuar mesazhin prindërve që nga fundjava.
Kurse një shkollë në New Jersey në SHBA u ka dërguar email prindërve duke sugjeruar që t’u thonë fëmijëve të fshijnë platformat e tyre të mediave sociale.
“Psikologët vendas na kanë kontaktuar dhe na kanë informuar se qeveria izraelite po u kërkon prindërve që t’u thonë fëmijëve të fshijnë Instagram-in dhe TikTok-un menjëherë”, thuhej në një email dërguar shkollës.
Një shkollë tjetër në New York ka njoftuar se po inkurajonte prindërit të monitoronin përdorimin e tyre të mediave sociale dhe të “diskutonin se si të shmangnin hapjen e këtyre videove dhe çfarë të bënin nëse hasin të tilla”.
Mediat sociale janë përmbytur me imazhe dhe video shqetësuese që nga fillimi i sulmeve.
David Lange, i cili drejton grupin izraelit të mbrojtjes Israellycool, ka thënë se shkolla e vajzës së tij e kishte komunikuar mesazhin në një grup prindërish në WhatsApp, duke i inkurajuar prindërit të fshinin TikTok-un nga telefonat e fëmijëve të tyre.
Ndërkohë, organizata të tjera hebraike kanë këshilluar prindërit të monitorojnë aktivitetin e fëmijëve të tyre në internet për të zbutur ekspozimin ndaj dhunës.
Kjo qasje është bërë jehonë nga disa shkolla në Mbretëri të Bashkuar.
Një nga shkollat kryesore hebraike në vend ka bërë me dije se përdorimi i mediave sociale është “një çështje e vështirë dhe delikate” sepse nxënësit përdorin platformat gjatë gjithë kohës.
Ata, në vend të një ndalimi të plotë, kanë inkurajuar prindërit që të flasin me fëmijët e tyre për përmbajtjen që po shohin.
Sekretari i teknologjisë i Mbretërisë së Bashkuar më herët u takua me shefat e kompanive të mediave sociale, ku u kërkoi të përcaktonin qartë se çfarë veprimi po ndërmerrnin për të hequr materialet e paligjshme që shkelin termat dhe kushtet e tyre.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com