Diplomacia amerikane në Tiranë ka shprehur shqetësimin e “thellë” për kërcënimet e dhunës ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit.
Lajmi u bë i ditur nga ambasada amerikane, duke cituar njoftimin zyrtar për shtyp.
“Një sistem drejtësie pa frikë dhe frikësim është një kërkesë e drejtë e popullit shqiptar dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara është thellësisht e shqetësuar për kërcënimet e dhunës ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit që po punojnë për ta bërë Shqipërinë të sigurt, të begatë dhe më demokratike. Hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcënime apo frikësim”, theksoi diplomacia amerikane.
Shtetet e Bashkuara pohojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për zyrtarët e zbatimit të ligjit të Shqipërisë që luftojnë me guxim korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe janë të gatshme të mbështesin përpjekjet e tyre, ravijëzoi në përmbyllje reagimi i ambasadës amerikane.
A justice system free of fear and intimidation is a rightful demand of the Albanian people and the United States Embassy is deeply concerned about the threats of violence against law enforcement officials who are working to make Albania safe, prosperous, and more democratic.… pic.twitter.com/C04qqcHzik
— U.S. Embassy Tirana (@USEmbassyTirana) October 4, 2023
Më herët, reagoi dhe delegacioni i BE-së në Shqipëri duke deklaruar se është thellësisht i shqetësuar për kërcënimet e bëra ndaj autoriteteve gjyqësore.
Këta të fundit, sipas diplomacisë evropiane, punojnë çdo ditë në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.
“Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare për të hetuar me shpejtësi këto kërcënime dhe për të mbajtur përgjegjës autorët. BE-ja mbështet plotësisht të gjithë zyrtarët që punojnë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, dënon çdo formë të sjelljes kërcënuese ndaj tyre dhe vazhdon të mbështesë vendin në përpjekjet e tij për të forcuar sundimin e ligjit”, thekson në përmbyllje reagimi i delegacionit evropian.
The EU Delegation in Albania is deeply concerned about the threats made against judicial authorities working daily in the fight against organised crime in Albania. We welcome the Albanian authorities’ commitment to swiftly investigate these threats and to hold…1/2
— EU in Albania (@EUinAlbania) October 4, 2023
Çfarë ndodhi?
Një dëshmi e Artan Tafanit, zbuloi planin e grupit të Laert Haxhiut për eliminimin e prokurores së SPAK-ut, Doloreza Musabelliu, ish-prokurores së Lushnjës, Merita Selimi dhe avokatin, Adriatik Doga.
Menjëherë pas kësaj dëshmie Musabelliu dhe Selimi u morën në mbrojtje nga efektivët.
E përbashkëta e të dyjave është pasja në dorë e dosjes se Haxhiut.
“I kemi ndjekur. Laerti ka dashur të sulmojë Doloreza Musabelliun, pasi ishte prokurorja e çështjes së tij në SPAK. Kjo prokurore kishte dënuar me burgim të përjetshëm shokët e tij Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. I kemi mbajtur nën vëzhgim dhe familjet e tyre. Laerti, pretendonte se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se kjo prokurore po i bënte gropën. Atij ju fiksua që ta vriste prokuroren ose ndonjë njeri të afërm të familjes”, rrëfeu Tafani.
Sipas tij, anëtarët e bandës i kanë bërë foto prokurores, burrit dhe fëmijëve të saj.
Ndërkaq, Selimi ishte prokurorja që hetoi Haxhiun, Bilbilin dhe Kaloshin për masakrën e vitit 2017 në Lushnjë.
Kush janë dy prokuroret dhe avokati në “listën e zezë” të Laert Haxhiut?
Asokohe mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu.
Pas dy viteve hetime, Selimi shpalli moskompetencën duke sjellë dosjen ndaj tre të pandehurve në SPAK.
Çështjen e mori prokurorja Musabelliu, e cila ka ende në fazë gjykimi Laert Haxhiun.
Musabelliu është një figurë e pikasur e drejtësisë, pasi ishte një nga 15 hetuesit të cilët u përzgjodhën fillimisht nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si pjesë e SPAK-ut.
Për arsye të rezultateve të larta ajo u emërua pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda menjëherë pas diplomimit.
Duke qenë se Musabelliu zotëron gjuhën frënge, ka qenë shpesh e përzgjedhur nga autoritetet franceze për hetimet dypalëshe, kryesisht në fushën e trafikut.
Ajo ka qenë një nga prokurorët e parë që kreu një hetim kundër Emiliano Shullazit dhe kërkoi dënimin për trafik droge dhe armëmbajtje.
Jo vetëm kaq.
Prokurorja ka hetuar për korrupsion ish-gjyqtarin Ibrahim Hoxha, italianin Guido Guidi, piloti që ngeci në Ishëm, ndërsa pati në dorë dosjen Toyota Yaris me miliona euro të sekuestruara në Durrës dhe masakrën e Lushnjës në vitin 2017.
Gjatë karrierës të saj, Musabelliu ka qenë drejtuese e njësisë Task Forcë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Tashmë prej 17 viteve, ajo ëhstë prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Ndërkaq, Merita Selimi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 dhe prej atëherë ka punuar në Prokurorinë e Lushnjës.
Së fundmi, pas konfigurimit të hartës së re gjyqësore, ajo e ushtron detyrën në Prokurorinë e Fierit.
Më 27 korrik ajo u shkarkua me shumicë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas problemeve të konstatuara me burimet financiare të një apartamenti në Tiranë dhe me likuiditetet.
Gjatë seancës dëgjimore, KPK bëri me dije se subjekti rezultonte me një bilanc negativ prej 3.1 milionë lekësh për krijimin e pasurive dhe likujditeteve.
Selimi këmbënguli se ajo kishte pasur burime financiare të mjaftueshme për pasurinë e saj dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
Dhe piketa e tretë është Adriatik Doga.
Avokati nga Lushnja e ka quajtur trillim atentatin dhe vrasjen që ishte planifikuar për të.
Sipas tij, gjatë punës si avokat nuk është ndjerë asnjëherë i kërcënuar nga Artan Tafani, madje sipas tij, përpara arrestimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë, ata kanë qenë në lokal së bashku sepse janë edhe kushërinj.
Doga shprehet se që nga momenti që emri i tij u bë publik si shënjestër për t’u vrarë nga grupi i Laert Haxhiut, nuk ka kërkuar mbrojtje, por të paktën duhej të ishte bërë një ballafaqim me Tafanin ose të thirrej nga prokurori i Elbasanit për t’u njohur me rrethanat.
Tafani, sipas Dogës, është i varur nga lëndët narkotike dhe duhen parë rrethanat e deklaratave të tij përpara Prokurorisë.
Avokati thotë se me Laert Haxhiun nuk ka njohje personale dhe asnjëherë nuk ka pasur konflikte as me çështjet e tij dhe as me grupin rival, atë të Aldo Bares.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore